Presidentja në Shkup: Rugova, ati themeltar i Republikës së Kosovës

Maqedonia

Presidentja në Shkup: Rugova, ati themeltar i Republikës së Kosovës

Më: 27 prill 2023 Në ora: 10:29
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të marrë pjesë në takime e aktivitete të ndryshme të parapara sipas protokollit zyrtar.

Mes të tjerave, ajo mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit në Shkup.

Me këtë rast, presidentja Osmani-Sadriu tha se ky është një nder jo vetëm për të e familjen e presidentit Rugova, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Image
Presidentja Osmani dhe Teuta Rugova në inaugurimin e rrugës

“Çairi do të jetë përjetë i nderuar që po e përjetëson emrin e presidenti Rugova në këtë rrugë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se kjo tabelë me këtë emër, do të jetë udhërrëfyese edhe e veprës së presidentit Rugova.

“Kjo rrugë me këtë emër, jo vetëm që do ta lidhë Çairin me pjesët tjera të këtij shteti, por do të jetë edhe motiv shtesë për qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë”.

Presidentja tha se duke vendosur emra të mëdhenj të historisë sonë në rrugët tona, nderohet e kaluara jonë.

“Por nderojmë më shumë edhe të tashmen, duke u lënë brezave dëshmi për kontributin e burrave dhe grave tonë për liri e shtet ndërtim”.

Ajo tha se presidenti Rugova ishte ati themelues i Republikës së Kosovës. “Një nga njerëzit që dha më së shumti e kontribuoi më së shumti për pavarësinë që e gëzojmë sot”.

Sipas agjendës, presidentja Osmani-Sadriu mori pjesë në ceremoninë e dhënies së Urdhrit “Hasan Prishtina”, post mortem për Arbën Xhaferi, mbajtur në ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.

Me këtë rast, ajo çmoi lart kontributin  Xhaferit për ngritjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në tërë rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat