Pendarovski: Maqedonia e Veriut e thekson vazhdimisht rëndësinë e ekzistimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të pavarur

Maqedonia

Pendarovski: Maqedonia e Veriut e thekson vazhdimisht rëndësinë e ekzistimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të pavarur

Më: 9 maj 2023 Në ora: 19:29
Stevo Pendarovski

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot ka mbajtur fjalim në samitin onlajn të liderëve dhe shefave të qeverive të vendeve-anëtare të Grupit themelues për themelimin e Tribunalit special për ndëshkimin e veprës penale agresion kundër Ukrainës. Ai përmendi se Maqedonia e Veriut e thekson vazhdimisht rëndësinë e ekzistencës së një Gjykate Penale Ndërkombëtare të pavarur dhe efektive.

Siç tha Pendarovski, bota po përballet me një kthesë të re historike që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Përdorimi i forcës nga Rusia kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës është një akt agresioni me shkelje të qartë të nenit 2 paragrafi 4 të Kartës së OKB-së dhe një sfidë e paturpshme ndaj rendit juridik ndërkombëtar.

“Është e qartë se duhet të sigurohet përgjegjësia e plotë për krimet ushtarake dhe të gjitha krimet e tjera të ndërlidhura me luftën e Rusisë, përfshirë edhe përgjegjësinë për krimet e agresionit. E mbështesim plotësisht deklaratën e përbashkët për krijimin e Gjykatës speciale si një mekanizëm ndërkombëtar që synon ndjekjen penale të krimeve të agresionit të kryera nga Federata Ruse kundër Ukrainës. Vendi ynë i është bashkuar grupit dhe mbështet krijimin e një Gjykate Speciale që do të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha krimet e agresionit dhe do t’i sjellë autorët para drejtësisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha presidenti.

Vendi, thekson ai, e ka dënuar ashpër pushtimin e paligjshëm nga Rusia që në fillim.

“Mund t’ju siguroj se mbështetja e Maqedonisë së Veriut për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës është e palëkundur. Duhet të jemi të bashkuar dhe në solidaritet me Ukrainën, sepse ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, por gjithashtu i mbrojnë edhe parimet themelore të Kartës së OKB-së. Shpreh sigurinë time për miqtë tanë ukrainas se, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, do të bëjmë gjithçka që Ukraina të ketë sukses, të respektohet ligji ndërkombëtar dhe paqja, dhe integriteti territorial i Ukrainës të rivendoset plotësisht brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, nënvizoi Pendarovski.

Sipas tij, të gjitha gjeneratat e politikanëve evropianë të pasluftës ishin të bindur se kontinenti ynë nuk duhet të jetë më kurrë dëshmitar i një tragjedie kaq të tmerrshme.

“Sot shënohet 78 vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore katastrofike. Periudha e pasluftës krijoi kushte për një transformim të thellë të botës në një rend juridik ndërkombëtar me vlera liberale dhe institucione ndërkombëtare efektive. Të gjitha brezat e politikanëve evropianë të pasluftës ishin të bindur se kontinenti ynë nuk duhet të jetë më kurrë dëshmitar i një tragjedie kaq të tmerrshme. Fatkeqësisht, ky samit po mbahet në një kohë sfidash të paprecedentë për arkitekturën e sigurisë evropiane, të nxitura nga pushtimi i paligjshëm i Rusisë në Ukrainë”, theksoi Pendarovski në fjalimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat