Shaqiri: Nuk i dallojmë studentët, por nuk kemi buxhet

Maqedonia

Shaqiri: Nuk i dallojmë studentët, por nuk kemi buxhet

Më: 14 maj 2023 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Studentët e universiteteve private ankohen se nuk i gëzojnë të drejtat për transportin publik sikur kolegët e tyre nga universitetet publike, e si rrjedhojë; detyrohen të paguajnë biletë mujore prej 1000 denarëve. Roza Millkova studente e rregullt në një universitet privat shprehet që transporti publik është pjesë e harxhimeve të larta mujore për ta. Madje edhe për kartelë mujore me pagesë prej 1000 denarëve, duhet të dorëzojnë dëshmi se janë studentë, gjë që duhet ta paguajnë shtesë në universitet.

“Një nga problematikat kryesore me të cilat ne si studentë përballemi është transporti publik në Shkup. Për ne studentët e universiteteve private ky transport nuk është falas dhe kështu çdo muaj ne duhet të paguajmë nga 1000 denarë për kartelë mujore. Siç e dimë, ne jemi studentë dhe për prindërit tanë kjo është harxhim”, tha Roza Milkova, studente në AUE-FON.

Për këtë çështje, profesori universitar Mitasin Beqiri përkrah studentët dhe ankesat e tyre duke u shprehur që nuk duhet të ketë dallime fare mes studentëve nga universitetet private dhe atyre publike.

“Duhet të kemi një paralele të asaj se çfarë është publike dhe private, pse të bëhen dallime? Para ligjit jemi të njejtë. Kur jemi para ligjit duhet të jemi edhe para transportit publik në rastin konkret. Si shfrytëzojnë transportin publik studentët që studiojnë në universitetet publike e njejta gjë të mundësohet edhe për studentët që janë në universitetet private”, tha Mitasin Beqiri, profesor në AUE-FON.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri thotë me buxhetin aktual për momentin kjo gjë nuk mund të bëhet. Ai nuk përjashton që në të ardhmen të lehtësohen kushtet edhe për ta, por nevojitet rebalanc i buxhetit.

“Me buxhetin që e kemi nuk kemi për momentin. Por tani nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje sepse ndoshta në periudhën në vijim mund të ketë rebalanc të buxhetit në të cilin mund ta parashohim. Asnjëherë nuk jam për atë që dallohen publik apo privat, gjithnjë studentët janë të njejtë në arsimin e lartë”, tha Jeton Shaqiri, ministë i Arsimit.

Përpos transportit publik, studentët të cilët vijnë nga qytete tjera duhet të paguajnë dhe konviktet studentore. Studentja Milkova tha se për momentin po bëhet rikonstruimi i konviktit “Kuzman Josifoski” ndërsa për pak muaj duhet të rikonstruohet edhe konvikti “Stiv Naumov”, gjë që mund t’i detyrojë studentët të marrin banesa private me qira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat