Lloga: Nesër në Qeveri pritet të miratohet propozim-iniciativa për ndryshime kushtetuese

Maqedonia

Lloga: Nesër në Qeveri pritet të miratohet propozim-iniciativa për ndryshime kushtetuese

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 15:10
Krenar Lloga

Propozim-iniciativa për ndryshime kushtetuese që nga java e kaluar është në procedurë qeveritare dhe me gjasë nesër do të shqyrtohet dhe miratohet në Qeveri, deklaroi sot ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq të mërkurën deklaroi se pret që në javët e ardhshme iniciativa për ndryshime kushtetuese të gjendet para deputetëve në Kuvend dhe të fillojë procedura dhe debati parlamentar, sepse siç vlerësoi, “është korrekte dhe e rëndësishme që çdo deputet të ketë mundësi të deklarohet për ta”.

“Jam i sigurt se nëse kemi qasjen e duhur ndaj secilit deputet dhe i shpjegohet rëndësia dhe përgjegjësia si dhe pasojat e pranimit ose mospranimit të këtij propozimi dhe kësaj nisme, mendoj se do të arrijmë në dy të tretat”, ka thënë Mariçiqi.

Sipas tij, nëse nuk sigurohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend, vetvetiu do të vendosim bllokadë dhe ngecim në rrugën evropiane.

Propozimi-iniciativa për ndryshime kushtetuese e përgatitur nga grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë në fillim të muajit është dorëzuar në Qeveri dhe siç ishte paralajmëruar atëherë, do të shqyrtohet në njërën nga seancat e ardhshme të qeverisë. Pritjet asokohe ishin se ndryshimet kushtetuese mund të hyjnë në Kuvend nga mesi i këtij muaji, kur edhe zyrtarisht do të fillojnë të rrjedhin afatet për ndryshimet kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat