Bujar Osmani: 20 vjet nga Samiti i Selanikut, Ballkani Perëndimor ka nevojë për integrim më të madh përpara anëtarësimit në Union

Maqedonia

Bujar Osmani: 20 vjet nga Samiti i Selanikut, Ballkani Perëndimor ka nevojë për integrim më të madh përpara anëtarësimit në Union

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 17:33
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka mbajtur sot një konferencë për media, me rastin e 20 vjetorit të Samitit të Selanikut, ditën kur Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor vendosën një synim të qartë për integrimin e të gjithë rajonit në Union.

Sipas Osmanit, 20 vjet pas deklaratës “E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”, vendet shkuan përpara drejt evropianizimit, por vetëm Kroacia është anëtare, që është rezultat i pamjaftueshëm dhe zhgënjyes për qytetarët.

“Ne kemi mbi 40% përputhshmëri të legjislacionit tonë me legjislacionin evropian, që mundëson bashkëpunim më të thellë institucional dhe kemi arritur 100% përputhshmëri me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Edhe pse ende nuk jemi integruar plotësisht në tregun e përbashkët, kemi një lidhje të fortë tregtare dhe ekonomike dhe mallrat dhe shërbimet tona kanë qenë prej kohësh pjesë e tregut evropian, përderisa kompanitë evropiane janë investitorët më të mëdhenj të huaj në vend. Kemi një shkallë të lartë të mobilitetit përmes shkëmbimit aktiv të studentëve – Erasmus+, po ashtu qytetarët prej kohësh kanë përfitimin e udhëtimit të lirë në vendet e BE-së për shkak të regjimit pa viza”, tha Osmani.

Megjithatë, sipas Osmanit, problemi më i madh në 20 vitet e fundit është hendeku në rritje në aspektin e konvergjencës ekonomike mes nesh dhe vendeve anëtare të BE-së, i cili në vend që të zvogëlohet vazhdimisht po rritet. Sipas Ministrit, zgjidhja e duhur është e ashtuquajtura Iniciativa për integrim më të madh para anëtarësimit formal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union, me synim qasje dhe pjesëmarrje graduale të vendeve kandidate në politikat, formatet dhe fondet përkatëse të BE-së.

“Anëtarësimi në Union është synimi përfundimtar, por duhet të ketë më shumë integrim në këtë rrugë, teksa i plotësojmë kriteret. Vetëm kjo do t’i sillte kredibilitetit procesit dhe ia vlen të promovohet në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut”, tha Osmani, duke theksuar se nga Brukseli ka marrë përgjigje pozitive për të njëjtën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat