Maqedoni, nga 1 korriku tregtarët mund të vendosin vetë çmimet e produkteve ushqimore

Maqedonia

Maqedoni, nga 1 korriku tregtarët mund të vendosin vetë çmimet e produkteve ushqimore

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vetëm edhe të premten do të mund të blejnë bukë, vezë, vaj, sheqer dhe miell me çmim të ngrirë (kufizuar) pasi nga 1 korriku tregtarët mund të vendosin vetë çmimet e produkteve.

Ministria maqedonase e Ekonomisë mori vendim të ngrijë çmimet e produkteve bazë në mars, pasi rritja e çmimeve të produkteve ushqimore bëri që Maqedonia e Veriut të shënojë shkallën më të lartë të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se pas stabilizimit të bursës botërore, nuk presin të ketë rritje të çmimeve pas 30 qershorit, kur skadon afati për kufizimin e marzhës tregtare për produktet bazë ushqimore. Megjithatë nga ky institucion theksojnë se gjithçka mbetet në ndërgjegjen e prodhuesve dhe tregtarëve.

Nga ky dikaster presin që çmimet të stabilizohen sikurse çmimet në tregun ndërkombëtar.

“Ministria ua lë prodhuesve dhe tregtarëve të demonstrojnë përgjegjësi sociale pas përfundimit të masës”, theksojnë nga Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve nënvizojnë se sa të përgjegjshëm janë tregtarët dhe prodhuesit flet fakti që pavarësisht uljes së çmimeve në bursën botërore, kjo gjë nuk reflektohet dhe në tregun vendor.

“Situata ka ndryshuar, çmimet e produkteve bazë po bien në tregjet botërore dhe do të shohim tani nëse vetë prodhuesit dhe tregtarët e kanë nxjerrë mësimin dhe nuk do të kenë nevojë të tillë për t’i rritur çmimet”, thotë Mirjana Lonçar-Velkova nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Gjatë krizës energjetike, Qeveria e Maqedonisë së Veriut disa herë ngriu çmimet e produkteve bazë.

“Ky veprim i dikasterit të Ekonomisë flet për zbatimin e politikave jokonsistente të shtetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Zdravko Saveski, ligjërues i Shkencave Sociale dhe aktivist për barazi sociale.

“Ende ka nevojë për ngrirje çmimesh ose për një masë më të butë, sepse inflacioni për sa i përket çmimeve të ushqimeve, është dy herë më i lartë se inflacioni i përgjithshëm. Kjo tregon se duhet të reagojmë në drejtim të mbrojtjes së standardit jetësor, veçanërisht të qytetarëve më të varfër, të cilët një pjesë të madhe të të ardhurave e shpenzojnë për ushqim”, thotë Saveski.

Afaristët konsiderojnë se shtrenjtimi i lëndëve bazë dhe rrymës, e bën të papërballueshëm kufizimin e çmimeve.

“Intervenimet e tilla, si kufizimi i çmimeve, nuk e ndihmojnë ekonominë për shkak se u shkaktojnë probleme bizneseve dhe operatorëve ekonomikë, dhe kjo me automatizëm e ndërpret zinxhirin e shëndoshë të ekonomisë duke ndërprerë komponentën zhvillimore ekonomike të vendit”.

“Pikërisht për këtë duhet potencuar se jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset dhe në përgjithësi shoqërinë, ngrirja e çmimeve si masë duhet të merret vetëm në raste emergjente, në një afat kohor shumë të shkurtër dhe jo të implemetohet si masë në çdo të dytin tremujor të vitit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Durim Zeqiri, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Hulumtimi mbi “Perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve dhe amvisërive për inflacionin në Maqedoninë e Veriut”, ka nxjerrë në pah se 60.4 për qind e qytetarëve të anketuar nuk mund t’i ulin shpenzimet e tyre për sa i përket sigurimit të produkteve ushqimore, pasi ato tashmë i kanë ulur në minimum.

Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë bërë të ditur se si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të konsumit gjatë viteve të fundit ka shënuar rënie fuqia blerëse e amvisërive.

Zyrtarët e FMN-së, të cilët nga 5 deri më 9 qershor kanë qëndruar në Shkup, kanë theksuar se gjatë këtij viti çmimet e konsumit pritet të rriten mesatarisht për 9.2 për qind./REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat