Protestat për dhe kundër barazisë gjinore nxisin gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale

Maqedonia

Protestat për dhe kundër barazisë gjinore nxisin gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 15:21
Parada e Krenarisë në Shkup e mbajtur këtë vit me moton "Të zëshëm dhe krenarë".

Dy ngjarje të mbajtura në Shkup kanë nxitur gjuhë të urrejtjes, veçmas në rrjetet sociale.

Në kryeqendrën maqedonase javën e kaluar u mbajt Parada e Krenarisë për të kërkuar të drejta për komunitetin LGBTI+ (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor dhe ndërgjinor). Ndërkaq disa ditë më vonë, Kisha Ortodokse Maqedonase organizoi një protestë kundër draft-ligjit për barazi gjinore dhe librit të gjendjes civile.

Për këtë legjislacion, në rrjetet sociale janë përhapur edhe shumë dezinformata.

Petrit Saraçini drejton Institutin për Media dhe Analitikë në Shkup, që bën monitorimin e mediave të shkruara, elektronike dhe sociale, në përputhje me standardet profesionale. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha e urrejtjes kundër barazisë gjinore vjen zakonisht nga qarqet, që sipas tij, janë kundër vlerave evropiane.

“Bëhet fjalë për një fushatë e cila zakonisht shfaqet në këtë periudhë të vitit kur mbahet Parada e Krenarisë, përkatësisht në muajin kur mbahen shumë ngjarje që ndërlidhen me barazinë gjinore. Është evidente që këta narrativë negativë shfrytëzohen për destabilizimin e institucioneve dhe uljen e besimit të qytetarëve në to, por edhe paraqitjen e sektorit civilë si ‘mercenarë’ të Perëndimit”, thotë Saraçini.

Gjatë kësaj jave, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Erold Musliu, ka theksuar se Maqedonia e Veriut do të jetë cak i propagandës dezinformuese për ndryshimet kushtetuese, çështjet kishtare dhe për zgjedhjet e caktuara që të mbahen më 2024.

Në këtë drejtim, Saraçini thekson se institucionet shtetërore duhet të veprojnë në mënyrë efikase, pasi ai paralajmëron se gjuha e urrejtjes mund të kalojë në dhunë fizike.

“Nëse e shihni se kush po i përhap këta narrativë [kudër barazisë gjinore dhe të drejtave të komunitetit LGBTI] janë po ato struktura që ishin struktura që përhapnin dezinformata për COVID-19 dhe narrativë pro-rusë”, thotë ai.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Petar Arsovski thotë për Radion Evropa e Lirë se një shtet që ndodhet në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Evropian duhet të reflektojë vlerat evropiane, përkatësisht duhet të kuptojë se më shumë të drejta për të tjerët, nuk do të thotë më pak të drejta për ta.

Maqedonia e Veriut ka nisur bisedimet për anëtarësim me BE-në vitin e kaluar.

“Ne si shoqëri shumë lehtë mund të biem pre e dezinformatave të tilla që kanë të bëjnë me ndërtimin e familjes dhe në parim duhet të ndërtojmë mure rezistuese ndaj lajmeve të rreme. Këto mure rezistuese ndaj lajmeve të rreme në esencë ndërtohen përmes emancipimit, në radhë të parë të strukturave udhëheqëse të vendit, qofshin ato politike, fetare apo të sektorit civil”, thekson Arsovski.

Më 29 qershor, nën organizimin e Kishës Ortodokse Maqedonase qindra qytetarë në Shkup protestuan kundër draft-ligjit për barazi gjinore dhe librit të gjendjes civile.
Zyrtarët e Kishës thanë se “draft-ligjet për barazi gjinore paraqesin kërcënim serioz për shoqërinë pasi ato janë në kundërshtim të vlerave familjare dhe përkufizimit të gjinisë biologjike”.

Ndërkaq, Shkupi fundjavën e kaluar ishte nikoqir i Paradës së katërt të Krenarisë, që këtë vit kishte moton “Të zëshëm dhe krenarë”.

Drejtuesit e paradës, përveç se kërkuan të drejta për komunitetin LGBTI, po ashtu vunë në pah mobilizimin e fuqishëm negativ, siç thanë ata, nga ana e drejtuesve të bashkësive fetare në shtet kundër promovimit të të drejtave të këtij komuniteti./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat