Ahmeti i drejtohet Kovaçevskit: Ne ministrat dhe funksionarët e BDI-së japim dorëheqje

Maqedonia

Ahmeti i drejtohet Kovaçevskit: Ne ministrat dhe funksionarët e BDI-së japim dorëheqje

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 15:17
Dimitar Kovaçevski

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i është drejtuar me letër publike kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në të cilën thuhet se ministrat dhe funksionarët e BDI-së japin dorëheqje.

Ahmeti tha se ky vendim hyn në fuqi ditën kur opozita do të votojë ndryshimet kushtetuese.

Fjalimi i plotë i Ali Ahmetit:

I nderuar Kryeministër, Dimitar Kovacevski,

Duke vlerësuar se vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjendet në një fazë kritike të së ardhmes sonë evropiane,
Duke pasur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit,
Duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh,
Duke u nisur nga kushtezimi i opozitës se do to të votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria,
Duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë,
Duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane,
Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim me kryetar, Ali Ahmetin, mbetet i paepur në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare,

Ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar!

Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat