“Kundërshtimi po bëhet për t’i larguar shqiptarët”, Grubi: Opozita do qeveri monoetnike

Maqedonia

“Kundërshtimi po bëhet për t’i larguar shqiptarët”, Grubi: Opozita do qeveri monoetnike

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 16:09
Artan Grubi

Ministrat e Ali Ahmetit i kanë dorëzuar dorëheqjet në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ato janë të kushtëzuara dhe mund të hyjnë në fuqi vetëm pasi opozita maqedonase të votojë ndryshimet kushtetuese në Parlament. Zëvendëskryeministri shqiptar, Artan Grubi, tha se VMRO-DMPNE po synon krijimin e një qeveri monoetnike “ndoshta me ndonjë parti të vogël vazale shqiptare, me shqiptarë të preferuar nga ana e tyre, apo si në kohën e okupimit serb të Kosovës kur quanin ‘shqiptarë të ndershëm".

Pasi formalizuan procesin e dorëheqjeve, Grubi i tha KosovaPress-it se ndryshimi teknik i Qeverisë nuk i bën dëm askujt dhe sipas tij po bëhet në të mirë të vendit në mënyrë që të arrhet integrimi evropian.

Jeton Shaqiri, Bujar Osmani, Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi, janë ministrat tjerë të BDI-së të cilët formalizuan premtimin e kreut të partisë, Ali Ahemti, të dhënë publikisht të dielën.

Grubi: Dorëheqjet e ministrave të BDI-së janë të kushtëzuara

“Është e kushtëzuar dorëheqja për arsye se ky ishte kushti i dhënë nga vet opozita, opozita theksoi që të vetmin kusht për ta votuar ndryshimin e Kushtetutës e kanë që BDI-shqiptarët, të largohen nga Qeveria dhe të krijohet një qeveri mono-etnike midis VMRO-DPMNE dhe Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe ndoshta me ndonjë parti të vogël vazale shqiptare, me shqiptarë të parapëlqyer dhe të preferuar nga ana e tyre apo siç në kohën e okupimit serb të Kosovës kur i quanin ‘shqiptarë të ndershëm’ do të thotë shqiptarë të cilët ata do i kishin parazgjedhur që të jenë pjesë e Qeverisë. Për ne është shumë më me rëndësi integrimi në Bashkimin Evropian, sesa që është pushteti dhe pjesëmarrja në pushtet dhe prandaj themi që ky është një nga prioritetet absolute të shqiptarëve dhe qytetarëve të vendit tonë, dhe e ndërmorëm këtë hap pa asnjë hamendje porsa e kërkoi opozita dhe tashmë sot e formatizuam dhe ja dorëzuam dorëheqjet tona të shkruara dhe të firmosura, kryeministrit të Qeverisë”, tha Grubi.

Me largimin nga Qeveria, BDI heq dorë nga disa premtime elektorale, përfshirë edhe 100 ditëshin e kryeministrit shqiptar.

Lidhur me këtë, Grubi thotë se çështjet e tjera mund të presin për mandatin tjetër por jo edhe integrimi në BE.

Grubi: Të gjitha çështjet tjera mund të presin por jo edhe Bashkimi Evropian

“Kjo nuk ishte një nga kërkesat e opozitës edhe pse më vonë e elaburoi lideri i opozitës që kjo nënkupton edhe mosrealizimin e kryeministrit të parë shqiptar të një qeverie në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia deri më sot, por ne duke parë që është prioritet absolut i gjithë qytetarëve, veçanti shqiptarëve që këtë vend ta integrojmë dhe rreshtojmë në Bashkimin Evropian, ashtu siç integruam dhe rreshtuam në NATO, vendosem që të gjitha çështjet e tjera mund të presin, mund edhe të spostohen, mund të realizohen edhe në mandate të tjera, Bashkimi Evropian nuk mund të pres”, tha ai.

Zgjedhjet e rregullta në Maqedoninë e Veriut mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe sipas Grubit, opozita maqedonase mund të qeverisë deri në atë periudhë apo edhe vendi të shkojë menjëherë në zgjedhje pas ndryshimeve kushtetuese.

Grubi: Në momentin që hynë në fuqi ndryshimet kushtetuese ne mund të largohemi nga Qeveria

“Zgjedhjet e rregullta i kemi në pranverën e vitit të ardhshëm, VMRO-DPMNE, nëse do mund t’i votoje ndryshimet kushtetuese dhe menjëherë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nëse do mund të qeverisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për parlament si dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit, si do që ata duan, çfarëdo qoftë kushti që ata mund të parashtrojnë ne jemi të gatshëm ta pranojmë vetëm me kusht që ata ta votojnë ndryshimin e kushtetutës në kuvend, iniciativa tashëm është dorëzuar, seanca për ndryshimet kushtetuese është thirrur nga ana e kryetarit të Kuvendit me 18 gusht kur nis procesi i cili pastaj zgjatë disa muaj dhe ne jemi të gatshëm në momentin që hyn në fuqi ndryshimi i Kushtetutës i miratuar në Kuvend, që nga ai moment të largohemi nga qeveria dhe do të presim deri në zgjedhjet e ardhshme që qytetarët të përcaktohen kush duhet t’i përfaqësojë shqiptarët në Qeverinë e ardhshme të vendit”, tha Grubi.

Grubi tha se problemi i VMRO-DPMNE është barazia e shqiptarëve me maqedonasit dhe sipas tij kjo është arsyeja pse po e do BDI-në jashtë ekzekutivit.

Grubi: Problemi i opozitës maqedonase paska qenë barazia e shqiptarëve me maqedonasit

“Problem për opozitën maqedonase paska qenë barazia e shqiptarëve me maqedonasit dhe me komunitetet tjera, asgjë tjetër nuk është problem, as çështja me Bullgarinë, as çështja me Greqinë, as çështja me Serbinë, por i vetmi problem i opozitës që po del në sipërfaqe është barazia të cilën po e synojnë dhe po e arrijnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dhe këtë duhet ta kenë qytetarët të qartë por edhe votuesit e tyre maqedonas sepse kundërshtimi për ndryshimet kushtetuese nuk po bëhet për mospërfshirje të bullgarëve por bëhet vetëm për t’i larguar shqiptarët nga Qeveria”, tha ai.

Ai mohon se akti i dorëheqjeve të BDI-së është taktikë e përdorur nga kreu i partisë, Ali Ahmeti.

Grubi: BDI është më mirë se kurd herë, si mund të ketë drojë nga humbja Ali Ahmeti

“Jemi më mirë se kurdo herë dhe kemi të arritura më shumë se kurdo herë dhe kjo po reflektohet në të gjitha sondazhet, ja po e shihni ja çu peshë partitë politike maqedonase duke thënë ‘largoni shqiptarët nga qeveria sepse kanë marrë shumë të drejta apo po qeverisin shumë dhe ka ardhur koha të krijojmë një qeveri pastër maqedonase nga ana e VMRO dhe LSDMN në një koalicion afatgjatë tetë apo dhjetë vjeçar. Duke marrë parasysh këto dhe dhjetëra dhe dhjetëra të cilat nuk arrita të ju përmend, si mund të këtë çfarëdo qoftë droje z.Ahmeti apo BDI nga humbja, është fitues absolut. Sondazhi i fundit i institutit republikan amerikan na nxori me rritje prej 1% në sondazhe, të gjitha partitë tjetra politike ti mblidhni bashkë nuk dalin as 6%”, tha ai.

Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe një prej kërkesave të kësaj të fundit ka qenë ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e komunitetit bullgar si komunitet i veçantë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Në kushtetutë aktualisht janë shqiptarët, maqedonasit, vllehët, romët, boshnjakët, turqit e serbët.

Por për ndryshime kushtetuese nevojiten 80 nga 120 vota të deputetëve.

Aktualisht shumica parlamentare, me të gjitha partitë shqiptare tjera, numërojnë 74 vota derisa mungojnë edhe gjashtë tjera për të bërë ndryshimet kushtetuese, të cilat po kërkohen të opozita maqedonase, VMRO-DPMNE.

Vendi i ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian një vit më parë ndërsa në nëntor të këtij viti përfundon procesi i skriningut dhe korniza negociuese nënkupton që në këtë fazë të bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat