Poliklinika e Sarajit hapet në fund të muajit gusht

Maqedonia

Poliklinika e Sarajit hapet në fund të muajit gusht

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 22:56
Poliklinika e Sarajit

Poliklinika e shumë premtuar e Sarajit pritet që përfundimisht të vihet në dispozicion të qytetarëve edhe atë deri në fund të këtij muaji. Këtë e bëri të ditur Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili thotë se e njëjta është pajisur me aparaturën e nevojshme mjekësore.

“Shpresojmë sa më pak pacientë të ketë për nevoja shëndetësore por sido që të jetë ajo së shpejti do të jetë realitet”, tha Fatmir Mexhit, ministër i Shëndetësisë.

Ai shtoi se deri në fund të muajit gusht do të hapet kjo poliklinikë.

Ajo çfarë ka mbetur pa përfunduar është çështja e punësimeve. Ndonëse nevojitet staf prej diku 52 punonjësve shëndetësore, Poliklinika e Sarajit do të nisë punën me deficit të punëtorëve.

“Është pajisur me gjitha mjetet që duhet, me të gjitha aparaturat mjekësore, ajo çfarë presim për momentin është që Ministria e Financave të miratojë punësimet. Aty duhen diku 54 punësime, ose 52 komplet në funksion, por për momentin buxheti nuk mund ta mbajë atë, mirëpo ne kemi rënë dakord me ministrin të ketë 26 punësime”, u shpreh Mexhiti.

Poliklinika rajonale në Saraj prej 1.600 m2 do të përfshijë shërbime si ambulantë ditore për mjekësi familjare, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rëntgeni dhe farmaci. E njëjta do të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore në Shkup dhe do t’i shërbejë gati 45 mijë banorëve të këtij rajoni të kryeqytetit të cilët nuk kanë asnjë poliklinikë në komunë, ndërsa ajo më e afërta është në komunën “Gjorçe Petrov”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat