​Kasami: Koha e marrjes së shqiptarëve në stacione policore ka vdekur

Maqedonia

​Kasami: Koha e marrjes së shqiptarëve në stacione policore ka vdekur

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 20:27
Bilall Kasami

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka reaguar pas kallëzimeve penale ndaj tij dhe kryetarit të Çairit, lidhur me tubimin e 11 gushtit, ku për vizitë atje qëndroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kasami këto i ka quajtur veprime komuniste e me qëllim frikësimi.

Në një reagim në Facebook, Kasami ka shkruar se koha e frikësimit të shqiptarëve dhe arrestimit të tyre ka vdekur.

“Komunizmi nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta”, ka shkruar ndër të tjera Kasami.

Kallëzime penale të martën janë ngritur ndaj Bilall Kasamit dhe kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Sipas Ministrisë së Panëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut kjo është bërë për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së Kurtit.

Të premten, Kurti ka qëndruar në Maqedoni të Veriut me ftesë të dy kryetarëve.

Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.

Pas vizitës së tij ka pasur shumë reagime, ndër të cilat edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat