Alternativa: Sot qeveria dëshmoi se nuk e ka dert integrimin, por pushtetin

Maqedonia

Alternativa: Sot qeveria dëshmoi se nuk e ka dert integrimin, por pushtetin

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 20:21
Alternativa

Përmes një njoftimi të partisë së Afrim Gashit thuhet se pasi që sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u vendos në rend dite diskutimi për ndryshimet kushtetuese, edhe pas përfundimit të diskutimeve dhe shterjes së debatit, kryetari i Kuvendit, pa asnjë arsye formale, nuk e hodhi në votimin propozim-nevojën për hapjen e kushtetutës.

Sipas tyre, kjo la të nënkuptohet se shumica parlamentare dhe kjo qeveri e di epilogun e atij votimi dhe prandaj nuk ka dashur të ballafaqohen me mungesën e shumicës së nevojshme për ndryshime kushtetuese.

“Duke e ditur se mungesa e numrit të 2/3-ve të deputetëve është edhe mungesë e legjitimitetit për të vazhduar qeverisjen, nuk mund të mos konstatojmë edhe një herë se kjo qeveri nuk e ka për dert që ta vonojë integrimin dhe mundësinë e hapjes së negociatave për BE kur bëhet fjalë për pushtetin e tyre personal. Në vend se ta hedhë në votim këtë pikë, që të dëshmohet shumica e nevojshme, kryetari i Kuvendit ia bëri edhe një shërbim kësaj shumice të brishtë, për t’ia zgjatur jetën edhe disa dite këtij pushteti, sa për të përfunduar edhe ndonjë transaksion financiar”, thuhet në njoftim.

Nga kjo parti u bëjnë thirrje BE-së dhe SHBA-së që t’ia bëjnë me dije kësaj qeverie se po i tejkalon të gjitha vijat e kuqe dhe se tashmë ajo, siç thonë nga Alternativa, është fajtore e vetme dhe e drejtpërdrejtë për mungesën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat