Maqedoni, numri i turistëve është rritur për 30,1 për qind

Maqedonia

Maqedoni, numri i turistëve është rritur për 30,1 për qind

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 17:33
turiste

Shifrat për gjashtë muajt e parë të vitit janë optimiste dhe nënkuptojnë rimëkëmbjen e industrisë turistike në vend. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë, në gjashtë muajt e parë të vitit, në krahasim me vitin paraprak, numri i turistëve është rritur për 30,1 për qind. Te turistët vendorë ka rritje prej 2,8 për qind ndërsa te të huajt për 46,8 për qind, tha sot drejtori i Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit (APPT) Lupço Janevski.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, shënohet rritje e numrit të bujtjeve për 18,8 për qind, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, me ç’rast te turistët vendorë ka ulje prej 1,2 për qind, ndërsa te të huajt rritje për 32,9 për qind.

Zhvillimi, siç theksoi në ngjarjen e sotme ku prezantoi aktivitetet programore, sipas Planit strategjik të Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit për vitin 2024, do të synojë, si rritjen e numrit të turistëve dhe zhvillimin e produkteve të reja, ashtu edhe ndaj kapaciteteve të reja turistike.

“Sfidat e turizmit nënkuptojnë motivim për të arritur rezultate pozitive që nuk mund të arrihen pa punën e përbashkët të të gjithë punëtorëve në industrinë e turizmit. Nëse krahasojmë pjesëmarrjen e turizmit në bruto prodhimin vendor – BPV, ku në vitin 2011 ishte 0,4 për qind, në vitin 2018 është 2,4 për qind, ndërsa në vitin 2022 është 3,6 për qind, duke arritur në 481 milionë dollarë. Nëse krahasojmë tremujorët e parë të fluksit nga turizmi, në pesë vitet e fundit, pavarësisht pandemisë që nisi në vitin 2020, nuk ka pasur rënie, gjë që nuk mund të ndodhë, nëse nuk ka planifikim, matje dhe vlerësim të planeve strategjike në APPT”, tha Janevski.

Për herë të parë këtë vit, theksoi në kuartalin e parë turizmi në ekonominë e Maqedonisë ka derdhur 93 milionë dollarë, që është për 19 për qind më shumë nga periudha e njejtë e vitit të kaluar, gjegjësisht për 41 për qind më shumë nga viti 2019.

“Kjo me të drejtë na inkurajon të themi se jemi në rrugën e duhur për të vendosur qëllimet dhe për të vazhduar drejt qëllimit, që të mund ta tejkalojmë vitin më të suksesshëm të turizmit të Maqedonisë 1988 me mbi 3,7 milionë bujtje”, thotë Janevski.

Ai përmendi se fokusi kryesor është prezantuar, edhe në segmentet turistike, siç janë: turizmi kulturor, eko-turizmi, turizmi rural, si dhe eko-gastro turizmi, duke ofruar kuzhinën maqedonase të njohur për diversitetin dhe autenticitetin e saj. Sipas tij, vizioni i APPT-së synon riorganizimin e institucionit , me kompetenca më të mëdha, me një ekip profesional, partner dhe shërbim të ekonomisë me ndikim në veprimtarinë turistike, i cili është promotori kryesor i ofertës turistike të RMV-së dhe shtytës i proceseve të rëndësishme në turizëm.

Më së shumti turistë në vend vijnë nga Turqia, Serbia, Greqia, Gjermania dhe Bullgaria. Pikërisht te turistët e Bullgarisë ka rënie prej 60 për qind që vjen si pasojë e marrëdhënieve aktuale politike dhe pengimit të proceseve tona integruese evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat