Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar vizitë në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar vizitë në Maqedoninë e Veriut

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 19:09
Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar dhe Stevo Pendarovski.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut në përpjekje për të bindur opozitën maqedonase që të mbështesë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për integrimin në Bashkimin Evropian.

Zoti Escobar do të qëndrojë sot dhe nesër në Shkup ku do të takohet me Kryeministrin maqedonas dhe me drejtuesin e opozitës, ndërsa sot pasdite ai u prit nga Presidenti Stevo Pendarovski, raporton VOA.

Departamenti Shtetit thekson se zoti Escobar shpreson në diskutime produktive. Në një deklaratë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës thuhet se: “Zëvendës-Sekretari i Shtetit shkon në Maqedoninë e Veriut për të biseduar rreth çështjeve dypalëshe dhe rajonale dhe për vazhdimin e forcimit të partneritetit tonë me aleatin e vlerësuar të NATO-s. Bisedimet me drejtuesit qeveritarë kanë të bëjnë në veçanti me integrimin e ardhshëm në BE dhe mirëqenien afatgjatë të Balkanit Perëndimor”, thuhet më tej në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Por, në Shkup pritshmëritë e opinionit publik janë përqendruar tek takimi i zotit Escobar me drejtuesin e opozites HRISTJAN MICKOVSKI, partia e të cilit, VMRO-DPMNE, kundërshton ndryshimet kushtetuese. Vetë zoti MICKOVSKI U shpreh një ditë më parë se bota po përgatit një strategji, për ta thyer partinë dhe 44 deputetët e saj që të votojnë ndryshimet kushtetuese”, të cilat ai i quan tradhëti dhe të hartuara sipas diktatit bullgar.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e hapi të premten e kaluar seancën plenare për ndryshimet kushtetuese, por ajo u mbyll pa votim.

Për miratimin e këtyre ndryshimeve nevojiten votat e dy të tretat të ligjvënësve dhe pa votat e opozites nuk mund të ketë miratim të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat