RMV, para fillimit të vitit shkollor, 40 mësimdhënës trajnohen për të përdorur ditarin e ri elektronik

Maqedonia

RMV, para fillimit të vitit shkollor, 40 mësimdhënës trajnohen për të përdorur ditarin e ri elektronik

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Zgjidhjet softuerike që duhet ta përmirësojnë funksionalitetin e ditarit elektronik janë akoma në fazën e testimit dhe pritet të vihen në përdorim në vjeshtë të këtij viti. Autoritetet përgjegjëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) janë pyetur se kur do të bëhen ndryshimet në ditarin elektronik, me anë të të cilit mësimdhënësit duhet të mbajnë evidencë pedagogjike gjatë tërë vitit shkollor. Nga MASh janë përgjigjur se kjo do të ndodh në fillim të vitit shkollor, shkruan Meta.

“Me zgjidhjet e reja softuerike presim të tejkalohen të gjitha problemet e mëparshme. Gjatë këtij muaji janë planifikuar trajnime për 40 administratorë nga shkollat ku sistemi i ri EMIS/ESARU dhe ditari elektronik i modifikuar do të vihen në përdorim në fillim të vitit shkollor” kumtojnë nga MASh.

Administratorët, pasi të mësojnë si të përdorin sistemin e ri, do të duhet t’i përcjellin njohuritë e tyre te mësimdhënësit tjerë të shkollave. Në ndërkohë do të përdoret ditari i vjetër elektronik, tek i cili janë të gjitha të dhënat për nxënësit.

“Për të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit mbetet në përdorim ditari aktual elektronik, përderisa nuk zëvendësohet plotësisht me atë të riun, e kjo do të ndodhë pasi të përmbushen të gjitha kushtet e parapara në fazën e testimit”, thonë nga MASh.

Ditari i ri elektronik po bëhet gati me mbështetjen e Unionit Evropian përmes fondeve të IPA. Procesi është në fazë të përparimit, gjegjësisht po kryhen testime të zgjidhjeve të reja softuerike nga MASh, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, Inspektoriati Shtetëror i Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve dhe mësimdhënës nga shkolla të ndryshme.

Zgjidhja e re duhet t’i çrrënjos problemet që i ka patur infrastruktura e vjetër harduerike dhe softuerike gjatë viteve të fundit.

Ditari elektronik u bë pjesë e sistemit arsimor në vitin 2013. Atëherë në sistem kishte afër 27 000 profile të mësimdhënësve si dhe afër 164 000 profile aktive të prindërve.

Mirëpo edhe këtë vit mësimdhënësit humbën durimin gjatë regjistrimit të të dhënave në ditarin elektronik, pasiqë vazhdimisht kishin probleme me ruajtjen e tyre në sistem. Mësimdhënësit me të cilët ka kontaktuar Meta.mk thanë se në ekran u është shfaqur mesazhi “Error 503 Service Unavailable”, ose kur kanë vendosur më shumë nota, në sistem është regjistruar vetëm një.

Gjithashtu, mësimdhënësit reaguan për atë se shpesh janë nxjerrë nga sistemi dhe është dashur përsëri të kyçen për të vazhduar punën. Shumë prej tyre është dashur të punojnë natën, pasiqë vetëm atëherë sistemi ka qenë më pak i ngarkuar dhe kanë mundur ta përdorin ashtu si duhet. Pa i patur të dhënat e kompletuara në sistem ata nuk mund të nxjerrin raport për nxënësit në fund të vitit shkollor.

Ditarët fizik para disa viteve u hoqën nga përdorimi, kështuqë ditari elektronik është vendi i vetëm ku mbahet evidencë për notat, mungesat e nxënësve, përgatitjet ditore dhe raportet për ekskurzionet e realizuara.

Mësimdhënësit me vite është dashur të mbajnë evidencë të dyfishtë, gjithçka që kanë shkruar në ditarin fizik është dashur ta bartin në ditarin elektronik. Ky ka qenë detyrimi i tyre ligjor. Ka ndodhur që sistemi fare të mos funksionojë sepse ka patur probleme me zgjedhjen e ndërmarrjes që do ta mirëmbajë sistemin.

Ndryshe, më 14 korrik u njoftua se paga e shtatorit për mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesional do të jetë 10 përqind më e lartë nga shtatori. Kjo do të thotë se nëse paga fillestare e një mësuesi në arsimin fillor, e cila tani është saktësisht 29.258 denarë, nga shtatori do të jetë 32.183 denarë. Pagat e tjera do të jenë më të larta, në varësi të përvojës së mësuesve, pra nga shkalla e kompleksitetit.

Fryt i negociatave mes sindikatave dhe Qeverisë është edhe regresi i pushimit vjetor, të cilën për herë të parë pas 24 vitesh do ta marrin punonjësit e arsimit. Ai do të jetë 10.000 denarë. Të gjithë të punësuarit në administratë do të marrin pushim vjetor prej 10 mijë denarë, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jetë së paku 30 për qind nga paga mesatare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat