Alternativa: Qeveria po e rëndon jetën ekonomike të qytetarëve

Maqedonia

Alternativa: Qeveria po e rëndon jetën ekonomike të qytetarëve

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Nga Departamenti i Ekonomisë dhe Financave pranë partisë Alternativa theksojnë se sipas informacioneve të grumbulluara nga shtatori i këtij viti shumë produkte, që konsumohen rregullisht nga qytetarët, do të kenë TVSH më të lartë, kështu edhe çmime të reja më të larta, kjo për faktin se qeveria – me ndryshimet në ligj – ato i vendos në kategorinë e produkteve luksoze.

“Kështu nga prodhuesit e qumështit është paralajmëruar se do të ketë rritje të çmimit të produkteve të qumështit, djathi mund të shtrenjtohet deri 30 për qind, që është një çmim shumë i lartë për standardin tonë. Rritja e çmimeve në industri dhe produkte të qumështit është rezultat i uljes së veprimtarisë së blegtorisë në vend dhe kjo vjen si rezultat i politikave të gabuara të kësaj qeverie, duke mos i subvencionuar dhe duke mos u kujdesur sa duhet për këtë kategori, por edhe nga mungesa e një plani afatgjatë të qëndrueshëm në blegtori. Çmimet e perimeve dhe frutave po ashtu kanë një rritje dhe tani janë më të shtrenjta, ndërsa nëse e shtojmë dhe TVSH-në 5%, rritja është edhe më e lartë – deri në 100 për qind. Marrë në përgjithësi, çmimet e disa produkteve bazë janë rritur mbi 40 për qind”, thonë nga Alternativa.

Sipas analizave siç theksojnë nga Alternativa paraja po e humb vlerën e saj, andaj paralajmërojmë se nga shtatori do të ketë rritje të çmimeve dhe tëbinflacionit, kjo për shkak të mungesës së masave parandaluese që duhet t’i ndërmarrë qeveria.

“Në fakt, në Maqedoninë e Veriut kemi proporcion të zhdrejtë, ku inflacioni në korrik u ul, por shporta e konsumit sindikal po atë muaj u rrit. Pavarësisht se statistikat zyrtare flasin për ulje të inflacionit, të dhënat nga Enti i Statistikave tregojnë se inflacioni ka arritur në 8,4 për qind, ndërsa në realitet është edhe më i lartë. Me këto çmime, një familje me katër anëtarë dhe me dy paga minimale, realisht, nuk mund t’i mbulojë shpenzimet bazë mujore. Të dhënat empirike thonë se familjes katëranëtarëshe këtë muaj i nevojiten 48.620 denarë për ta plotësuar shportën minimale sindikale. Është një rritje prej 441 denarësh në krahasim me llogaritjet për shportën e konsumit në qershorin e kaluar. Kjo rritje e shportës së konsumit “vërtet i godet xhepat e punëtorëve dhe qytetarëve”, thonë nga Alternativa.

Sipas tyre kjo është arsyeja që Alternativa sugjeron që qeveria një ditë e më parë të ndërmarrë masa për ta përballuar krizën ekonomike, pra goditjen e çmimeve dhe të inflacionin.

“Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë nevojës për mosrritjen e mëtejshme të çmimit të energjisë elektrike, për ta parandaluar kështu rritjen e çmimeve të një numri të madh produktesh. Në të kundërtën, kjo do të shkaktojë mungesë të disa produkteve dhe mbyllje të disa bizneseve që i prodhojnë ato. Prandaj shteti do duhet të ketë masa të reja të paketës sociale, ku qytetarëve më të rrezikuar duhet t’u sigurohet subvencionim për blerjen e disa produkteve ushqimore dhe të energjisë elektrike në formë të kuponëve (vauçerëve) dhe ato t’u shpërndahen personave që kanë të ardhura nën një kufi të caktuar”, thuhet mes të tjerash në kumtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat