MPJ: Kompania e zgjedhur në adaptimin e sallës “Boris Trajkovski” transparente dhe konform procedurave

Maqedonia

MPJ: Kompania e zgjedhur në adaptimin e sallës “Boris Trajkovski” transparente dhe konform procedurave

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), sot përmes një komunikate bëri të ditur se kompania e zgjedhur në adaptimin e sallës “Boris Trajkovski” për OSBE-në është tërësisht transparente dhe konform me procedurat.

Qeveria, theksojnë ata, e ka angazhuar MPJ-në si bartëse të buxhetit për kryesimin e OSBE-së në vitin 2023, të zbatojë procedurën për prokurimin e ndërtimeve dhe punëve dhe shërbimeve tjera për realizimin e adaptimit të brendshëm dhe rregullimit të jashtëm të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup për të mbajtur Konferencën e këshillit ministror të OSBE-së. Bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe politike ndërkombëtare që është organizuar ndonjëherë në vend, ku do të marrin pjesë rreth 70 ministra të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në OSBE.

“Adaptimi i objektit të Qendrës Sportive ‘Boris Trajkovski’ duhet të bëhet duke respektuar standardet dhe protokollet e sigurisë të OSBE-së. Çdo vend kryesues e organizon këtë ngjarje në fund të vitit të kryesimit të tij. Për këtë qëllim janë bërë vlerësimet e duhura të punimeve të nevojshme, të cilat janë miratuar nga selia e OSBE-së, dhe të cilat parashikojnë vëllim të madh të punimeve të përcaktuara me specifikim teknik në përputhje me kërkesat e Organizatës”, thonë në MPJ.

Nga MPJ theksojnë se pas detyrimeve të marra nga Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme ka kryer procedurën për prokurimin publik të punëve për qëllimin në fjalë, duke respektuar plotësisht dispozitat e Ligjit të Prokurimeve publike, duke i respektuar parimet e ekonomizimit, efikasitetit dhe efektivitetit të përdorimit të mjeteve publike, sigurimin e konkurrencës dhe transparencës si dhe trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim të operatorëve ekonomikë në të cilat morën pjesë katër kompani.

“Për prokurimin publik janë paraqitur gjithsej katër kompani, ndërsa përzgjedhja e realizuesit u bë në bazë të çmimit më të ulët të ofruar. Kompania e përzgjedhur kishte ofruar çmimin më të ulët deri tani, e cila arrin diferencë deri në dy herë e gjysmë më të ulët se kompania e renditur e tretë dhe e katërt. Të gjitha institucionet dhe opinioni kanë qasje në procedurën dhe përzgjedhjen që është plotësisht në përputhje me procedurat, ndërsa vendimin e konfirmoi edhe Komisioni i shkallës së dytë. Për punët e planifikuara është lidhur kontratë në shumën kornizë deri në 95 000 000 denarë, e cila do të përdoret sipas nevojave dhe çmimeve individuale të ofruara si më të ulëtat për punët e kryera”, thuhet në komunikatë.

Nga MPJ theksojnë se kjo do të jetë një nga kryesimet me buxhetin më të ulët në historinë e re të OSBE-së dhe do të jetë ndër kryesimet me numër të jashtëzakonshëm aktivitetesh, organizimesh dhe iniciativash të ndërmarra. Duhet të jemi të vetëdijshëm se aktivitete të tilla të rëndësishme ndërkombëtare çdo vendi i kushtojnë para dhe kërkojnë ndarje buxhetore.

Shtojnë se buxheti ynë për kryesimin me OSBE-në do të jetë më i vogli në krahasim me çdo tjetër në 10 vitet e fundit dhe është dokument transparent dhe mund të kontrollohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat