“Nuk respektohet marrëveshja kolektive”, ekziston mundësia që viti shkollorë në RMV të fillojë me grevë

Maqedonia

“Nuk respektohet marrëveshja kolektive”, ekziston mundësia që viti shkollorë në RMV të fillojë me grevë

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Ekziston mundësia që viti i ri shkollorë të fillojë me grevë. Kryetari i Sindikatës së pavarur për arsim dhe shkencë, Tomisllav Gievski, në intervistë për REL, pohon se nuk respektohet marrëveshja kolektive. Arsyet kryesore janë pagat e ulëta, por edhe ndryshimet e paralajmëruara thonë se janë në kundërshtim me ligjin.

“Në mënyrë absolute bëhet fjalë për pakënaqësi të madhe që mbizotëron në shkollat fillore dhe të mesme, si rezultat i 10% të ofruara nga Qeveria përmes marrëveshjes së përgjithshme kolektive. Ekziston mundësi e madhe që viti shkollor të fillojë me grevë, ne si Sindikatë e pavarur për arsim dhe shkencë në mënyrë aktive punojmë në zmadhimin e forcës me qëllim që të mund ta realizojmë atë proces. Kuptohet, nëse edhe sindikata më e madhe e shfrytëzon atë të drejtë, ne jemi këtu për tu solidarizuar”, tha Tomisllav Gievski, Sindikata e Pavarur për Arsim dhe Shkencë.

Gievski thotë se revolti buron nga ndryshimet e paralajmëruara në sektorin e arsimit që nuk përputhen me ligjet. Revolti po ashtu është për shkak të pagës së ulët që është nën mesataren ndërsa, më i madh është revolti i mësimdhënësve për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve kolektive.

“Që të njoftohet më mirë opinioni publik, metodologjia për përllogaritjen e pagës së të punësuarve në sektorin e arsimit përbëhet nga koeficienti shumëzuar me pagën më të ulët për shkallë më të ulët të kompleksitetit në shtet. Te ne në sektorin e arsimit përdoret paga më e ulët që është shumë më e ulët nga’paga minimale në nivel të shtetit. Në këtë mënyrë po shkelet ligji, në mënyrë joligjore po ulet paga e mësimdhënësveqë të paguhen nën mesatarin”, shtoi Gievski.

Ai tha se për momentin, bashkëpunëtor profesional në arsimin fillor merr rrogë prej 29.200 denarëve ndërsa paga mesatare sipas Entit shtetëror të statistikës është 35.500 denarë. Gievski thotë se nëse nuk zbatohet në tërësi marrëveshja kolektive siç parashihet me të, paga fillestare e mësimdhënësve do të ishte dy herë e gjysmë më e lartë se paga minimale. Në lidhje me tekstet mësimore, viti shkollor do të fillojë pa librat mësimore për klasën e tretë dhe të gjashtë. Gievski thotë se më të dëmtuar janë nxënësit por edhe mësimdhënësit. Thotë se puna e tyre vështirësohet duke shtuar se do t’ia dalin disi, megjithatë shtoi se procesi i mësimit me tekste mësimore është më me cilësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat