Besa – Alternativa – Lëvizja Demokratike: Ndryshimet në Kodin Penal bëhen për ta shpëtuar Nikolla Gruevskin

Maqedonia

Besa – Alternativa – Lëvizja Demokratike: Ndryshimet në Kodin Penal bëhen për ta shpëtuar Nikolla Gruevskin

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 14:47
Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike

Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike kanë dalë me reagim të përbashkët, pas njoftimeve se Qeveria ka propozuar ndryshime të Kodit Penal, me të cilat parashihet ulja e dënimeve me burg për zyrtarët shtetëror.

Partitë opozitare thonë se këto ndryshime bëhen për ta shpëtuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Opinioni ka të drejtë ta dijë, ndërsa kryeministri Kovaçevski e ministri i Drejtësisë Lloga këtë e kanë detyrim ta shpjegojnë, se nëse kalon ky propozim-ndryshim i Kodit Penal, ndërsa ata e kanë shumicën ta kalojnë, pas kësaj lirisht mund t’ia presin Nikolla Gruevskit edhe një biletë njëkahëshe Budapest-Shkup e të dalin ta presin me të gjitha nderimet shtetërore”.

“Për informacion të opinionit, Nikolla Gruevski për lëndën “Tanku” është i dënuar me dy vjet burg. Për lëndën “Titanik”, që është në vijim e sipër, me Kodin Penal aktual mund të dënohet deri në dhjetë vjet, ndërsa me ndryshimin e ri mund të dënohet me dy ose tre vjet burg. Për lëndën “TNT” ai është i dënuar me 9 vjet burg. Për lëndën “Dhuna në Komunën Qendër” është i dënuar me 1 vjet e 6 muaj burg. Për lëndën “Feniks” ende nuk ka vendim. Lënda “Talir” është kthyer në fillim të procedurës. Për lëndën “27 Prilli” procedura për Gruevskin është ndërprerë. Për lëndën “Talir 2” ai është dënuar me 6 vjet burg, ndërsa lënda është në Gjykatën e Apelit. Lënda “Traketorija” tashmë është vjetruar, ndërsa për lëndën “Trualli në Vodno” është dënuar me 7 vjet burg”, thuhet në reagimin e Besës, Alternativës dhe Lëvizjes Demokratike.

Ata gjithashtu thonë se kanë dyshime se “ndryshimet e Kodit Penal po propozohen edhe sepse eksponentë të lartë të BDI-së, por edhe të LSDM-së, e dinë se pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në opozitë dhe prandaj duan të krijojnë kornizë që mos t’i kapë ndjekja penale”.

“Ajo që bie në sy është se propozim-ndryshimi i Kodit Penal nuk është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, por nga zëvendësi i tij. A dëshiron kështu ASH-ja t’i lajë duart si Pilati dhe të thotë se ajo nuk ka faj për shërbimin që i bëhet Gruevskit? Ne presim që edhe ministri i Drejtësisë, por edhe kreu i ASH-së, të dalin të tregojnë se a pajtohen me këto ndryshime të Kodit Penal. Nëse nuk pajtohen, atëherë më e pakta që mund ta bëjnë si parti që është që ministri Lloga të japë dorëheqje, sepse e dimë tashmë se ata nuk mund të dalin më prej qeverie”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat