Procesi i Bërno-Brioni, BE me standarde të dyfishta për Maqedoninë

Maqedonia

Procesi i Bërno-Brioni, BE me standarde të dyfishta për Maqedoninë

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 18:48
Procesi i Bërno-Brioni

Pendarovski mes tjerash tha se nga këndvështrimi ynë dhe aspiratat tona drejt Bashkimit Evropian, ekziston një disbalancë e madhe ndërmjet kritereve tradicionale për hyrje në BE dhe marrëdhënieve bilaterale me së paku dy fqinjët tanë.

Integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve ishin në fokus të takimit vjetor të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, i cili u mbajt dje në Shkup, nikoqir i së cilës ishte presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Ky i fundit bashkë me presidentët e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe Kroacisë, Zoran Milanoviq u shprehën kundër propozimit të presidentit francez Emmanuel Macron për “Evropa me shumë shpejtësi”. Presidentja sllovene theksoi se të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë vlerë të barabartë dhe se ajo është kundër një propozimi të tillë, ndërsa Pendarovski shtoi se propozimi nuk është propozim zyrtar i Bashkimit Evropian, por vetëm ide e Macronit.
Pendarovski mes tjerash tha se nga këndvështrimi ynë dhe aspiratat tona drejt Bashkimit Evropian, ekziston një disbalancë e madhe ndërmjet kritereve tradicionale për hyrje në BE dhe marrëdhënieve bilaterale me së paku dy fqinjët tanë. Pendarovski thekson se në tre vitet e fundit kemi pasur një çekuilibër serioz në atë kuptim sepse problemi bilateral me Bullgarinë mbulon agjendën tradicionale evropiane për anëtarësim. “Shpresojmë se kjo do të ndryshojë së shpejti, sepse nëse në Ballkanin Perëndimor insistoni që mosmarrëveshjet thjesht bilaterale të zgjidhen, veçanërisht nëse ato bazohen në histori dhe emocione, atëherë asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian”, tha Pendarovski.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia, si gjithmonë, mbetet konsistente me përpjekjet e saj të sinqerta për të krijuar një atmosferë besimi, mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë, gjë të cilën e ka demonstruar përmes nismave të shumta që hapin mundësi të mëdha për bashkëpunim të fortë ndërmjet vendeve të rajonit, në dobi të të gjithëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti kroat, Zoran Millanoviq pas takimit me homologët e tij të rajonit, tha se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia mos të ndërpresin kanalin e komunikimit. Millanoviq tha se është i habitur që BE i ka ndarë statusin e vendit kandidat Ukrainës, para Bosnje dhe Hercegovinës. “Ka çështje të hapura, posaçërisht mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk njihen mes vete, këto janë procese që zhvillohen në mënyrë paralele dhe në të njëjtën kohë dhe do ta ritheksoj edhe njëherë, mendoj se bisedimet kanë vlerë dhe se është më së keqi kur ndërpriten linjat telefonike, ajo është vdekje, vdekje për dialogun, për komunikimin për mirëkuptimin e ndërsjellë por edhe për keqkuptimin, kur ndodh diçka e tillë. Një nga momentet më të rëndësishme në kohën e fundit ka të bëjë me identitetin dhe vetrespektin e vendeve të këtij rajoni, kjo është kur Ukraina mori statusin e kandidatit para BeH, kjo ishte e pashpjegueshme, por ja që ndodhi”, tha Milanoviq.

“Për herë të parë në historinë tonë të takimeve, për herë të parë në tavolinë gjenden tre gra”, tha presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc-Musar. Ajo tha se përveç deklaratave, sivjet pas takimit do të ketë aksione konkrete. “Kemi identifikuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në Roamingun e Evropës, si dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmin e BE-së për përgjigje ndaj katastrofave natyrore”, theksoi Pirc-Musar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat