Maqedoni, s’ka vendim për Komisionin hetues për skandalin në Onkologji

Maqedonia

Maqedoni, s’ka vendim për Komisionin hetues për skandalin në Onkologji

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Kuvendi i RMV-së nuk ka vendosur akoma për formimin e Komisionit hetues për skandalin në Onkologji, i cili Komision ishte propozim i OBRM-PDUKM-së. Partia opozitare propozon që me anë të këtij komisioni të vërtetohet përgjegjësia politike dhe mënyra se si është lejuar keqpërdorimi me vite. Ata propozojnë që shumicën në komision ta kenë LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca kurse komisionin ta drejtojë deputet i OBRM-PDUKM-së.

“Vërtetimi i përgjegjësisë politike i një pjese të funksionarëve të shëndetësisë dhe të pushtetit do të ketë edhe vlerë shtesë për shkak se në këtë moment ka një polarizim të fuqishëm dhe për fat të keq, njollosje paushalle e një pjese të madhe të mjekëve dhe personelit mjekësor i cili në pjesën më të madhe punon me përgjegjësi, me ndërgjegje dhe kujdes për secilit pacient sipas detyrimit dhe mundësisë”, deklaroi Antonio Milloshoski, OBRM-PDUKM.

Nga LSDM-ja kërkojnë që rasti të mos politizohet.

“Shihet qartë vullneti i deputetëve të shumicës që dyshimet për atë që ka ndodhur në Klinikën e Onkologjisë të hetohen deri në fund, të locohet faji dhe fajtorët, të nxirren para drejtësisë dhe të ketë përgjegjësi. Por është e papranueshme ajo që përpiqen të bëjnë disa nga opozita, ta politizojnë këtë ngjarje, të marrin pikë politike mbi ndjenjat e njerëzve që kanë pasur raste të dhimbshme”, tha Darko Kaevski, LSDM.

Sipas opozitës, ministri i Shëndetësisë duhet të ishte i pari që do të kishte dhënë dorëheqje menjëherë pas publikimit të skandalit.

“Ministrat duhet të mësohen se kur gjatë mandatit t’u ndodhë diçka si kjo, ose diçka po aq e tmerrshme sa rasti në Tetovë, duhet të ikin po në atë moment që të tregojnë se janë përgjegjës objektiv, jo subjektiv. Ministri nuk është përgjegjës për Onkologjinë megjithatë të gjithë institucionet shëndetësore janë në kompetencë të tij. Kur marrim një post, duhet ta shohim se çfarë trashëgojmë saktë”. Theksoi Gordana Siljanovska, OBRM-PDUKM.

“Ju keni të drejtë por jeni vonë, jeni shumë vonë sepse nuk ka ndodhur rasti tani. Rasti ka ndodhur, ju thoni në vitin 2016, por a mund të siguroni se s’ka ndodhur dhe më herët. D.m.th. është dashur shumë më herët ministrat, kur janë paraqitur shenjat e para të kësaj çështje çnjerëzore, të kishin dhënë dorëheqje”, u shpreh Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët.

Propozimi për formimin e komisionit hetues në Kuvend për rastin në Onkologji vjen rreth dy javë pasi mori jehonë publikimi i skandalit me keqpërdorimin e terapive nga një rrjet i mirëorganizuar i të punësuarve të cilët më vonë terapinë e kancerit të caktuar për pacientët e Klinikës e kanë shitur në tregun e zi. Keqpërdorimi ka ndodhur në rreth 10 vjetët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat