OEMVP kundër masës për ngrirjen e çmimeve: Kur dëmtohet sektori privat, dëmtohet standardi i qytetarëve

Maqedonia

OEMVP kundër masës për ngrirjen e çmimeve: Kur dëmtohet sektori privat, dëmtohet standardi i qytetarëve

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 15:32
OEMVP

Ngrirja e çmimeve dëmton sektorin privat e si rrjedhojë edhe kapacitetin e fuqisë blerëse gjegjësisht standardin e qytetarëve, vlerëson Durim Zeqiri, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së sipas të cilit masat e fundit të Qeverisë “çmimi i garantuar” nxisin importin, ndërsa zbehin produktet vendore. Sqaron se duke qenë të varur nga importi, importojmë njëkohësisht edhe inflacionin.

“Importi e ka bërë atë që çmimet të ngritën. Tani për të ndihmuar në uljen e çmimeve dhe për të zbehë këtë inflacion të skajshëm vlerësojmë se institucionet duhet të merrnin masa tjera duke i stimuluar prodhuesit vendor për të prodhuar ato produkte që janë jetike apo esenciale sa i përket tregut vendor por edhe duke i ulur normat doganore, tatimet e ndryshme me atë që ndoshta shteti për një periudhë të shkurtër nuk do të arkëtonte siç arkëton në mënyrë të rëndomtë por së paku qytetarët do të kishin qasje në produkte më të lira dhe kështu do të vinte deri te balancimi i çmimeve”, theksoi Durim Zeqiri.

Zeqiri thotë se për shkak të ngrirjes së çmimeve bizneset nuk do të kenë leverdi të punojnë me ato produkte të caktuara gjë që do të sjell mungesë në raftet e marketeve. Por, a ekziston rreziku që pas përfundimit të masave të rriten çmimet? Zeqiri thotë se për një gjë të tillë nuk mund ta bëhet prognozë pa e ditur situatën në tregjet ndërkombëtare. E profesori i ekonomisëBranimir Jovanoviq mendon ndryshe.

“Në tregjet globale nuk ka presione për rritje të çmimeve. Çmimi i ushqimit tashmë një vit e gjysmë është në rënie, energjensat gjithashtu, edhe pse nafta së fundmi pak po por sërish është shumë pak. Nëse e shihni PPI indeksin në RMV ai p.sh. gjatë muajve të fundit ka ulje, për dallim nga indeksi i çmimeve të konsumit që është 8%. Kështu që është e qartë se momentalisht firmat në Maqedoni janë në gjendje mjaft të mirë dhe se kanë hapësirë për ulje të çmimeve. Kështu që në këtë situatë nuk do të ketë kundërmasa, mungesë, firmat nuk do të vuajnë, por vetëm do t’u ulet pak fitimi”, pohoi Branimir Jovanoviq, ekonomist.

Jovanoviq thotë se rreziku kryesor është fryrje artificiale e çmimeve për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të masës, ndërsa për përmirësimin e standardit jetësor, sipas tij, Qeveria duhet të rrisë të ardhurat e qytetarëve. Përndryshe, të njëjtën duan edhe qytetarët sepse sipas tyre ulja dhe ngrirja e çmimeve nuk është se do të ndikojë në xhepin e tyre aq sa pretendohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat