RMV/ Gripi sezonal dhe Covid 19 mbushin ambulancat me pacientë

Maqedonia

RMV/ Gripi sezonal dhe Covid 19 mbushin ambulancat me pacientë

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 09:44
Foto ilustrim

Nëpër ambulanca ka filluar të rritet numri i pacientëve me viruse, ftohje madje edhe me mutacionin e ri të virusit kovid-19. Mjeku amë, Fikret Vishniq thotë se në ordinancën ku punon ai, pacientët së fundmi ankohen për dhimbje të fytit, ethe, probleme me frymëmarrjen, djersitje dhe simptoma të tilla të ngjashme. Ai nënvizon se disa pacientë kanë rezultuar pozitiv ndaj testit të koronavirusit.

“Kemi pacientë me grip, në periudhën e fundit disa i kishim edhe pacientë të testuar që rezultuan pozitiv me kovid, por janë me simptome më të lehta, por dallimi është se simptomat janë më afatgjate, dikund prej 5-7 ditë zgjasin simptomat siç janë rritja e temperaturës, rrjedhje në hundë, dhimbje në fyt dhe plogështi”, deklaroi Fikret Vishniq, mjek amë.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik flasin për rritje të numrit të rasteve me kovid, ku krahasuar me muajin korrik, në gusht numri i rasteve pozitive me kovid është rritur për 4,6 herë.

Ndërsa vetëm në 3 javët e para të muajit shtator janë regjistruar 538 raste të reja dhe tre vdekje në Kavadar, Negotinë dhe Shkup.

“Lidhur me gjendjen në muajin shtator, janë regjistruar gjithsej 538 raste me kovid 19, të konfirmuara në laboratori ( pjesa më e madhe në Shkup 228 dhe Kavadarc 130). Janë regjistruar edhe 235 të shëruar dhe tre persona kanë ndërruar jetë”, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Aktualisht si masë parandaluese për shpërndarjen e kovid 19-tës është mbajtja e maskave nëpër institucionet shëndetësore, ndërsa nuk ka ndonjë vendin të ri nëse personat me kovid duhet të shkojnë në izolim, kjo ndodh me rekomandim të mjekut amë, i cili nëse vlerëson se ka nevojë hap pushim mjekësor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat