Bytyqi nga Nju Jorku: Anëtarësimi në BE do të mbrojë standardet e jetesës së qytetarëve edhe në kushte të krizave dhe konflikteve

Maqedonia

Bytyqi nga Nju Jorku: Anëtarësimi në BE do të mbrojë standardet e jetesës së qytetarëve edhe në kushte të krizave dhe konflikteve

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 12:25
Fatmir Bytyqi

Këtë javë, Kombet e Bashkuara ishin qendra politike e botës dhe një nga temat kryesore që dominoi debatin ishte pa dyshim agresioni rus kundër Ukrainës, i cili tregoi se si forca shkatërruese e luftës u derdh lehtësisht në ekonominë çdo shteti të botës, me ç’rast asnjë shtet nuk u kursye. Kështu deklaroi në Nju Jork zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, i cili sivjet po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të OKB-së dhe në samitin për zhvillim të qëndrueshëm.

“Por dëmi ishte më i vogël tek ata që kishin zhvilluar një mekanizëm mbrojtës ndaj goditjeve të jashtme në strukturën e tyre ekonomike, pavarësisht nëse ato ishin shkaktuar nga goditje ekonomike, mjedisore apo gjeopolitike.” tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se mekanizëm mbrojtës quhet rezistim i ekonomisë dhe ekonomia jonë e Maqedonisë mund ta arrijë atë më së shpejti vetëm përmes përshpejtimit të proceseve integruese evropiane dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi në BE do të na japë kryesisht qasje në tregun e vetëm më të madh në botë prej 500 milionë konsumatorëve, duke ofruar një bazë të larmishme konsumatore për produktet dhe shërbimet tona. Një rrjet i zgjeruar i marrëveshjeve tregtare, reduktimi i barrierave tregtare do të ndihmojë në kompensimin e humbjeve nga goditjet e mundshme në të ardhmen. Harmonizimi rregullator, standardet dhe praktikat e qëndrueshme në të gjithë industritë, mund të jenë një tjetër burim i qëndrueshmërisë së ekonomisë sonë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se të lartpërmendurat janë vetëm një pjesë e përfitimeve ekonomike që mund të marrë Maqedonia e Veriut, të cilat do të forcojnë aftësinë e saj për të ecur nëpër peizazhin ekonomik global që po ndryshon me shpejtësi dhe për të mbrojtur standardet e jetesës së qytetarëve tanë dhe në kushte të krizave dhe konflikteve, të cilat u diskutuan në Kombet e Bashkuara këto ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat