Osmani-Loson: Mbretëria e Bashkuar ishte partner i vazhdueshëm në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

Maqedonia

Osmani-Loson: Mbretëria e Bashkuar ishte partner i vazhdueshëm në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 11:21
Metju Loson

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Metju Loson, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e projektit për mentorimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Drejtorisë për NATO-n dhe Çështjet Politike dhe të Sigurisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, njoftojnë nga MPJ.

“Me nënshkrimin e sotëm të Memorandumit, në mënyrë shtesë forcojmë aleancën tonë në NATO dhe e pasurojmë kornizën kontraktuale ndërmjet dy vendeve. Mbretëria e Bashkuar, si aleati dhe miku ynë i rëndësishëm, kontribuon në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me qëllim të realizimit më efektiv të rolit tonë politik dhe koordinues në lidhje me çështje të ndryshme që lidhen me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë”, theksoi Osmani.

Ambasadori Lason tha se Mbretëria e Bashkuar ishte partner i vazhdueshëm në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s.

“Mbretëria e Bashkuar ishte partner i vazhdueshëm në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s. Ky projekt është edhe një shembull tjetër i mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Maqedoninë e Veriut si aleate e NATO-s, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve dhe aftësive në mënyrë që ajo të vazhdojë të kontribuojë dhe të përmbushë rol më të rëndësishëm si anëtare e NATO-s”, tha ambasadori Loson, duke shtuar se donacionet e Mbretërisë së Bashkuar në formën e pajisjeve, sigurimit të instruktorëve të trajnimit, dërgimit të këshilltarëve dhe pjesëmarrjes në stërvitjet e përbashkëta kontribuuan në përmbushjen e qëllimit të përbashkët, sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Njëherit, ai shtoi se këto përpjekje janë dëshmi e përkushtimit të të dy vendeve për të garantuar mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e Aleancës së NATO-s.

Projekti, shtojnë nga MPJ, është paraparë të zgjasë deri në mars të vitit 2024 dhe duke dërguar ekspert rezident pritet të kontribuojë në pjesëmarrjen e shkathët dhe me kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme si dhe ekspertëve civilë në punën e strukturave të NATO-s. Gjithashtu, projekti duhet të kontribuojë në gatishmërinë e përgjithshme të institucioneve tona për të siguruar menaxhim shumë efektiv dhe efikas të roleve politike në fushën e politikës së sigurisë dhe çështjeve të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat