Visar Ganiu i reagon BDI-së: Krimi dhe korrupsioni kanë adresë tjetër

Maqedonia

Visar Ganiu i reagon BDI-së: Krimi dhe korrupsioni kanë adresë tjetër

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 16:27
Visar Ganiu

Kryetari i Komunës së Çairit ka reaguar lidhur me deklaratën e BDI-së për shqetësimet e tyre për keqpërdorimet e pretenduara rreth furnizimeve publike. Ganiu thotë se është më se e pritshme që të gjithë ata që mendojnë ndryshe do të jenë targeti i BDI-së, por kjo “nuk do t’ju ndihmojë t`i fshehin të gjitha skandalet korruptive dhe mëkatet që i kanë bërë kundrejt popullit shqiptar”.

“Poashtu, duam të njoftojmë opinionin e gjerë se kompania e apostrofuar Bauer BG, nga Qeveria RMV-së në vitin aktual 2023, ka marrë tender në vlerë prej 6.5 milionë euro. Njëjtë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e njëjta kompani ka marrë tender në vlerë prej gati 2 milionë euro, ndërsa nga Ministria e Mjedisit mbi 1 milionë euro, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari prej mbi 8 milionë euro, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej 2 milionë euro, në total rreth 20 milionë euro”.

“Ne si Komunë e Çairit, në mënyrë më transparente i ftojmë të gjitha institucionet relevante që ta hetojnë këtë rast, ku do të konfirmohet se mjetet në Komunën e Çairit janë ndarë me dedikim nga Qeveria e RMV-së, e cila siç mund të konstatohet rregullisht ka lidhur kontrata me kompaninë e sipërpërmendur. Në këtë frymë, ne insistojmë që hulumtimi nga institucionet kompetente të vazhdojë edhe në të gjitha institucionet tjera të menaxhuara nga BDI, veçanërisht në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, e cila menaxhohet nga Artan Grubi, si dhe në Lotarinë Shtetërore të RMV-së, e cila menaxhohet nga krahu i djathtë i Artan Grubit”, thotë Ganiu.

Ai më tej shton se ky nivel i panikut dëshmon vetëm një gjë, “se BDI do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme dhe të gjithë personat e përfshirë në biznesin e pistë të kazinove dhe marrëveshjet e tjera skandaloze që u zbardhën nga mediat në periudhën e kaluar, do të përgjigjen para institucioneve të drejtësisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat