Xhaferi: Me zvarritjen e procesit drejt BE-së nxiten proceset retrograde

Maqedonia

Xhaferi: Me zvarritjen e procesit drejt BE-së nxiten proceset retrograde

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 16:53
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se është koha e duhur që të gjitha partitë politike që në programet e tyre mbrojnë integrimet evropiane, ta demonstrojnë këtë përkushtim edhe në veprim.

Sipas tij, miratimi i ndryshimeve kushtetuese do të mundësojë hapjen e kapitujve të negociatave dhe kjo do të sjellë ritëm të përshpejtuar të reformave.

“Besoj se vonesa e mëtejshme e procesit të anëtarësimit mund të vërë në pikëpyetje reputacionin e Bashkimit si partner i besueshëm dhe vendimin e tij kryesor gjeopolitik. Ai lë hapësirë për shfaqjen e proceseve nacionaliste dhe retrograde dhe inkurajimin e palëve të treta për të forcuar interesin e tyre në rajon”, tha Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, thekson se procesi i zgjerimit është çështje gjeostrategjike. Ai informoi se procesi i shqyrtimit është në fazën përfundimtare dhe shtoi se po bëhen përpjekje që vendi të hapë kapitullin e parë të negociatave deri në fund të dhjetorit të këtij viti.

“Besoj se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme. Jam i bindur se Kuvendi dhe deputetët do të jenë në lartësinë e detyrës dhe do të zhvillojnë një dialog konstruktiv, me të cilin do të përmbushim shpejt dhe me efikasitet detyrimet tona dhe do t’i kapërcejmë sfidat, të gjitha sfidat që lidhen me çështjet e vështira politike, por edhe me politikat konkrete të gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thanë se tashmë ka dinamikë të re dhe vëmendje të madhe ndaj procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Disa prej tyre ndanë se Brukseli e sheh zgjerimin si investim gjeostrategjik në paqe, siguri dhe progres.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit, të Ballkanit Perëndimor të kuptojnë rëndësinë e kësaj mundësie që është krijuar me dinamikën e re dhe klimën e re politike në Evropë”, theksoi Zolt Nemeth – Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Këto qëndrime u thanë në Konferencën e Dialogut Ndërparlamentar për Promovimin e Integrimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, organizuar bashkërisht nga Kuvendi dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat