Kjo është shuma e peleti sivjet në Maqedoni

Maqedonia

Kjo është shuma e peleti sivjet në Maqedoni

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 18:03
Foto ilustrim

Stabilizohet tregu i peletave. Këtë vit ka balancë mes ofertës dhe kërkesës dhe çmimi i peletave është ulur për rreth 50 për qind, krahasuar me vitin paraprak, shkruan Alsat.

Kështu thotë kryetari i Shoqatës së importuesve të peletave, Vlladimir Stojanovski i cili nënvizon se çmimi i një qese me peleta këtë vit mund të blihet madje edhe për 260 denarë.

“Këtë vit për dallim prej vitit të kaluar ka stabilizim të tregut të peletave. Vitin e kaluar kishte disbalanc të madh mes ofertës dhe kërkesës dhe si rezultat i kësaj çmimet shkuan shumë lart, jo vetëm në Maqedoni, flas në aspekt rajonal dhe në të gjithë kontinentin e Evropës. Çmimet janë ulur në mënyrë drastike për dallim prej vitit të kaluar dhe sillen dikund rreth 260, 270, 280 denarë për qese prej 15 kilogramësh. Çmimet e vitit të kaluar arritën edhe 450 denarë e më lart për një qese prej 15 kilogramësh”, u shpreh Vladimir Stojanovski, Shoqata e importuesve të peletit.

Disbalanci mes ofertës dhe kërkesës shtoi ai, çoi edhe në krijimin e tregut gri, ku individë të caktuar kanë mashtruar qytetarët duke ofruar çmime joreale për tregun e peletave, duke marrë të holla prej qytetarëve dhe duke mos dërguar sasinë për të cilën qytetarët kishin paguar.

“Vitin e kaluar kishte shumë zonë gri në pjesën e shitjes, pasi kishte kërkesë të lartë dhe ofertë të ulët, dhe për fat të keq, edhe policia e din këtë, kjo është e denoncuar domethënë, për fat të keq u paraqitën tregtarë individë që arritën të mashtrojnë njerëz, të paguajnë sasi për çmime shumë të ulëta, joreale për tregun dhe normalisht ato sasi asnjëherë nuk i morën. Kjo është punë e policisë. Porosia këtu është të blihet nga prodhues dhe tregtarë që janë me renome dhe që janë më gjatë në treg, të jenë më të sigurt për atë që e blejnë edhe si garanci e kualitetit edhe garanci të mjeteve të tyre”, tha Vladimir Stojanovski, Shoqata e importuesve të peletit.

I pyetur nëse kanë informacione që prodhues të caktuar që prodhojnë peleta në të zezë, nuk selektojnë se çfarë fusin në makinën prodhuese, respektivisht nuk respektojnë standardet e prodhimit, gjë që rrezikon shëndetin e qytetarëve pasi ndot ajrin, Stojanovski tha se tek shoqata nuk kanë arritur informacione të tilla, por edhe nëse ka ata do të ishin raste të izoluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat