Raporti i parë për zbatimin e Dialogut Strategjik Maqedonia e Veriut-ShBA para Qeverisë së RMV-së

Maqedonia

Raporti i parë për zbatimin e Dialogut Strategjik Maqedonia e Veriut-ShBA para Qeverisë së RMV-së

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 09:43
Qeveria e RMV-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në seancën e djeshme të Qeverisë, prezantoi Raportin e parë për statusin e realizimit të projekteve nga Plani i Veprimit në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së. Raporti është përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme, si koordinatore e procesit të përgjithshëm, bazuar në raportet tremujore për aktivitetet e kryera nga ministritë, institucionet dhe agjencitë qeveritare kompetente, njoftojnë nga MPJ.

“Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që mbajti Dialog Strategjik me ShBA-në më 2 qershor të vitit të kaluar, në Uashington. Me këtë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve u ngritën në një nivel më të lartë, duke forcuar partneritetin strategjik dhe aleancën e kahershme mes dy vendeve. Në kuadër të takimit të parë të Dialogut Strategjik, u përcaktuan disa fusha me rëndësi kryesisht dypalëshe, por edhe me interes rajonal dhe global. Si fusha kryesore për bashkëpunim u theksuan: iniciativat rajonale; mbrojtja dhe siguria; lidhjet midis njerëzve; bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës; tregtia dhe investimet etj.

Qëllimi i Dialogut Strategjik është që nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë të forcojë kontributin e ShBA-së në kuadër të zbatimit të agjendës së reformave të brendshme, forcimin e progresit dhe zhvillimit demokratik të vendit, rritjen e nivelit të sigurisë, ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve, si dhe realizimin e interesave reciproke të të dy vendeve nga perspektiva rajonale dhe globale”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Nga ky aspekt, theksojnë nga MPJ, në kuadër të Dialogut Strategjik, në fushën e “Iniciativave Rajonale”, është arritur një bashkëpunim më i ngushtë dhe është ofruar mbështetje nga ShBA-ja për kryesimet tona me Procesin e Bashkëpunimit në Europën Juglindore (PBEJL) si dhe ShBA-Karta e Adriatikut (A5). Të dyja vendet kanë interes të përbashkët për praninë më të thellë të ShBA-së në Ballkan, si një nga shtytësit më të rëndësishëm të zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit.

“Në periudhën e kaluar, në pjesën “Mbrojtja dhe Siguria”, përmes Dialogut Strategjik, janë zhvilluar trajnime të përbashkëta me ShBA-në, përfshirë edhe aleatët rajonalë; mbështetja amerikane u sigurua për zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut për të arritur qëllimet e NATO-s, si dhe bashkëpunim për forcimin e aftësive të mbrojtjes kibernetike.

Nëpërmjet projekteve në fushën e “Marrëdhënieve midis njerëzve”, po bëhen përpjekje për forcimin e bashkëpunimit arsimor, si dhe ndërgjegjësimin për edukimin mediatik, i cili është i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie që do të kërkojë llogaridhënie nga institucionet publike. Gjithashtu, bashkëpunimi i forcuar në kuadër të shkëmbimeve kulturore do të kontribuojë në lidhjen e popujve të të dy vendeve, si dhe në zhvillimin e artistëve tanë dhe prezantimin e tyre në skenën botërore.

Në përputhje me prioritetet tashmë të përcaktuara, janë duke u zbatuar projektet në pjesën “Bashkëpunimi dypalësh, qeverisje e mirë dhe sundimi i së drejtës”, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit, për të cilën tashmë janë realizuar vizita të shumta nga përfaqësues të rangut të lartë të ShBA-së.

Në kuadër të Raportit u konstatua bashkëpunimi i përforcuar në kuadër të Dialogut Strategjik në pjesën “Tregtia dhe Investimet”, bashkëpunimi në fushën e biznesit, shëndetësia etj”, thonë nga MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme, shtojnë nga atje, do të vazhdojë ta monitorojë zbatimin e Planit të Veprimit në kuadër të Dialogut Strategjik dhe do të informojë rregullisht Qeverinë për statusin e realizimit të projekteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat