Dibra flakaresh diskriminimit maqedonas ndaj nxënësve shqiptarë në Butel, Gazi Babë e Veles

Maqedonia

Dibra flakaresh diskriminimit maqedonas ndaj nxënësve shqiptarë në Butel, Gazi Babë e Veles

Nga: Rexhep Torte Më: 25 tetor 2023 Në ora: 18:00
Autori Rexhep Torte

A keni menduar se çfarë traumash e plagë shpirtërore u shkaktohet nxënësve shqiptarë, kur kalojnë përreth shkollës që është ndërtuar me paratë taksapaguesve të tërë banorëve të Maqedonisë ku taksapagues janë edhe shqiptarët, ndërsa nxënësit shqiptarë nuk lejohen të mësojnë në këto shkolla?!

A keni menduar me çfarë psikologjie negative helmohen nxënësit maqedonas kur i dëgjojnë prindërit e tyre duke e arsyetuar shovinizmin dhe albanofobinë e tyre ndaj shqiptarëve dhe nxënësve shqiptarë brenda familjeve të tyre?!

Dibra para 63 viteve e dha shembullin më të mire të fisnikërisë dhe edukatës njerëzore, të dashurisë për arsim dhe të solidaritetit njerëzor, kur u hap gjimnazi në Dibër, kur një grup i madh nxënësish shqiptarë kaluan vullnetarisht të mësojnë në gjuhën maqedonishte në paralelen maqedonase, që kjo paralele ta arrinte kuotën e nevojshme për tu mundësuar nxënësve maqedonas që ishin shumë pak në numër për të ndjekur mësimin në këtë gjimnaz.

Prindërit dhe arsimtarët shqiptarë në Dibër, duke parë asokohe se shteti monist i Maqedonisë nuk interesohej fare për avancimin e arsimit shqip në Dibër, në fillim vitin shkollor 1960/61, e hapën me vetënismë shkollën e mesme gjimnazin, duke e vënë para aktit të kryer edhe qeverinë edhe ministrinë e atëhershme të arsimit në Maqedoni.

Gjimnazi në Dibër asokohe e filloi punën në ambientet e ngushta dhe në kushtet tejet të vështira në ish shkollën fillore “Hoxhë Vogli”.

Profesorët që filluan punën në këtë gjimnaz të porsa hapur punuan gjashtë muaj vullnetarisht pa asfarë pagese.

Dibranët asokohe sipas mundësisë ndihmuan vullnetarisht me donacionet e tyre për gjërat elementare didaktike mësimire, ku donacionin më të madh e dha Haki Papraniku-bujku arsimdashës dhe fisnik dibran.

Unë isha nxënës i gjeneratës së parë të ketij gjimnazi në Dibër dhe më kujtohen në detaje dëshira dhe vendosmëria e prindërve, e nxënësve dhe e profesorëve dibranë që nxënësit masovikisht të arsimohen në gjuhën amtare shqipe.

Absurd diskriminimi i nxënësve shqiptarë në Butel, Gazi Babë dhe Veles nga kryetarët e komunave, drejtorët e shkollave dhe prindërit maqedonas

Është anti kushtetuese, anti ligjore, anti demokratike anti njerëzore, e pa kuptueshme, e pa tolerueshme, e pa lejueshme dhe tejet anti arsimore dhe anti kulturore që sot në shekullin e 21, kryetarët e komunave, drejtorët e shkollave dhe prindërit maqedonas në Butel, Gazi Babë e Veles, t’i diskriminojnë nxënësit shqiptarë, duke mos i lejuar të mësojnë në këto shkolla ku mësojnë nxënësit maqedonas!

Partia nacionaliste maqedonase “E Majta”, më 13 tetor 2023, me deklaratën e saj skandaloze dhe anti demokratike kundër formimit të paraleles në gjunën shqipe në në Gjimnazin “Koço Racin”në Veles, dëshmoi publikisht diskriminimin maqedonas kundër të drejtës legjitime të nxënësve shqiptarë që të mësojnë në gjuhën amtare shqipe, transmeton “Bota Sot” në rubrikën e lajmeve.

Sipas raportimeve edhe në mediat elektronike dhe të shkruara në gjuhën shqipe në Maqedonisë e Veriut nxënësit filloristë shqiptarë, përkundër reagimit të prindërve të tyre, tashmë disa vite janë të detyruar të udhëtojnë kilometra të tëra larg shtëpive të tyre për të arritur gjer te shkollat ku duhet ta ndjekim mësimin në gjuhën amtare shqipe.

Prindërit dhe nxënësit shqiptarë në Veles vite me radhë kanë protestuar pse nxënësve shqiptarë nuk po u hapen paralele në gjuhën shqipe, dhe si pasojë e këtyre qëndrimeve diskriminuese , nxënësit filloristë shqiptarë detyrohen të mësojnë në gjuhën maqedonase.

Këto reagime skandaloze, anti demokratike, janë për çdo kritikë dhe e turpërojnë tejmase Maqedoninë e Veriut edhe ndërkombëtarisht në aspiratat e saj për tu bërë anëtare e BE-së.

“Bota Sot”, në WEB faqen e saj të datës 7 tetor 2023 në rubrikën e lajmeve nga Maqedonia, botoi informatën me titull, “Asgjë nga premtimi për hapjen e objektit të ri në Vizbeg-Lagje e Komunës Butel”.

Në këtë tekst thuhet se, Darko Kostovski-kryetar i Komunës Butel, deklaroi se, “Kontrolli teknik i kryer në fund të muajit shtator rezultoi me disa mangësi. Ky objekt i ri shkollor ende nuk është lidhur me rrjetin përkatës elektrik dhe të ujësjellësit, që kanë të bëjnë me ashensorët, sistemin e ngrohjes, kondicionerët, ndriçimin e tërësishëm dhe pajisjet e ujësjellësit. Tani parashihet që shkolla të fillojë me atë energji elektrike që ka shërbyer për aktivitetet ndërtimore, sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka bërë lëshim të madh dhe nuk ka paraparë një trafo të posaçme për energjinë elektrike për atë shkollë sipas rregullores. Tani improvizohet në një vend ku duhet të mësojnë fëmijët. Unë nuk do të lejoj diçka të tillë me asnjjë çmim”, thotë Darko Kostovski.

Jeton Shaqiri-minstër i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, thotë se, “Unë jam dakord që furnizimi me rymë elektrike është i mjaftueshëm për ato pesë klasë, sepse nuk bëhet fjalë për lëshimin në funksionim të tërë objektit, sepse shkolla ka edhe ashensor. Nevojitet mirëkuptim nga komuna, e jo qëndrime për të bërë poena politik. Duhet të emërohen drejtori i kësaj shkolle, Këshilli i prindërve, duhet gjithashtu të caktohet edhe stafi drejtues dhe mësimdhënësit në këtë shkollë, mbi bazën e detyrimeve që i ka kryetari i komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale. Fillimisht në këtë objekt të ri shkollor do të mësojnë nxënësit nga klasa e parë gjer në klasën e pestë, ndërsa për nxënësit gjer në klasën e nëntë, duhet të vendosin vetë prindërit. Pas shumë vitesh kërkesa të prindërve shqiptarë ky objekt shkollor në Vizbeg nisi të ndërtohet në janar të vitit 2022. Sipas projektit në këtë shkollë pritet të ketë 17 paralele me 500 nxënës. Për shkak të mungesës së objektit të shkollës fillore në Vizbeg qindra nxënës së kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të Shkupit, Butelit e Çairit, duke udhëtuar nga 3 kilometra në këmbë”, deklaron ministri i arsimit Jeton Shaqiri.

Naser Zyeri dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit në mbrojtje të nxënësve shqiptarë

Naser Zyberi-Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, më 7 tetor 2023, reagoi lidhur me objektin shkollor fillore ”Njegosh” të Gazi Babës, duke thënë se, “Për nxënësit përfaqësues të bashkësive që ndjekin mësimin të ndryshëm nga gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik, puna edukative mësimore zhvillohet në gjuhën dhe shkrimin e bashkësisë përkatëse. Nxënësit e Shkollës fillorë “Njegosh” më shumë se 1 muaj nuk po zhvillojnë mësim, sepse e kanë përfunduar klasën e pestë dhe nuk mund të vazhdojnë më tutje pasi nuk ka paralele të gjuhës shqipe prej klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë.

Prindërit e nxënësve maqedonas, janë kundër hapjes së paraleles pasi sipas tyre nuk ka hapësira të mjaftueshme edhe pse Inspektorati i arsimit ka konstatuar se hapësira të lira në këtë shkollë ka, por mungon gatishmëria e drejtoriit të shkollës dhe e kryetarit të Komunës. Unë si avokat i popullit sipas kompetencave të mia kam ngritur procedurë për zgjidhjen ligjore të këtij problemi”, ka deklaruar Naser Zyberi.

Në WEB faqen e “Bota Sot” më19 tetor 2023, në rubrikën e lajmëve nga Maedonia, shkruan se, “Asnjë zgjidhje për paralelet në Idrizovë”, ku thuhet se, “Inspektorati Shtetëror i Arsqimit i Maqedonisë do të ushtrojë kontroll për të konfirmuar nëse drejtori i Shkollës “Njegosh” në Gazi Babë ka dorëzuar kërkesë për hapjen e paraleles shqipe për 13 nxënësit shqiptarë të Idrizovës. Në rast se nuk është ndërmarrë asgjë paralajmëron edhe gjoba për institucionet përkatëse. Prindërit shqiptarë janë të revoltuar, sepse e dine që nëkëtë shkollë ka hapësira, megjithatë Boban Stevkovski-Kryetari i Komunës së Gazi Babës, në takimin më datë19 tetor u ka ofruar mundësinë që nxënësit shqiptarë të ndjekin mësimin online. Prindërit shqiptarë e kanë refuzuar mësimin online, dhe dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë në ambientet e shkollës. Drejtori i kësaj shkolle na gënjen me vite edhe pse ne i themi që siç mësojnë nxënësit maqedonas në shkollën që e kanë afër, atë e dëshirojmë edhe në për fëmijët tanë. Nëse ju pengon që nxënësit shqiptarë të mësojnë gjer në klasën e pestë, atëherë pse ju pengon që të mësojnë deri në klasën e nëntë”. Drejtori na kërcënoi edhe më gjobë nëse nuk e pranojmë mësimin online. Ne nga Ministri i arsimit kërkojmë që t’ia merr kompetencat kryetarit të komunës Boban Stevkovski, ose do të detyrohemi të futemi me zor në shkollë, sepse nxënësit tanë janë në humbje”, thonë prindërit e nxënësve shqiptarë.

Nga Komuna Gazi Babë thonë se po punojnë për zgjidhje afatgjatë, ndërsa 13 nxënësit shqiptarë të Idrizovës akoma nuk e kanë nisur klasën e gjashtë në këtë vit shkollor, sepse në Shkollën Fillore “Njegosh” në Gazi Babë nuk realizohet mësimi shqip nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë”.

I tërë ky lamsh i ngatërruar ndaj nxënësve shqiptarë është rezultat i diskriminimit që u bëhet këyre nxënësve nga prindërit maqedonas, drejtorët maqedonas të shkollave dhe kryetarët maqedonas të komunave Butel, Gazi Babë dhe Veles.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat