Mickoski fton pushtetin të vendosë vetë datën e zgjedhjeve, OBRM-PDUKM do të pranojë

Maqedonia

Mickoski fton pushtetin të vendosë vetë datën e zgjedhjeve, OBRM-PDUKM do të pranojë

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 16:56
Hristijan Mickoski

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi në brifingun e sotëm me gazetarë shpalosi afatet e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe ato presidenciale.

Përskaj kësaj, në këtë sqarim po ashtu shkruhet se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit, afati është jo më pak se 70 ditë dhe jo me shumë se 90 ditë. Nëse raundi i parë mbahet më 14 mars, atëherë shpallja e zgjedhjeve do duhet të jetë më 4 janar 2024 (minimum 70 ditë). Për raundin e dytë, nëse ai mbahet më së voni më 8 maj, atëherë në këtë rast raundi i parë duhet të jetë më 24 prill, shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron së paku 70 ditë deri në zgjedhje, shkruhet në sqarim.

Kështu si datat e mundshme, për raundin e parë janë 14 marsi, 28 marsi, 11 prilli dhe 25 prilli; ndërsa për raundin e dytë 28 marsi, 11 prilli, 25 prilli dhe 9 maji, por për këtë të fundit theksohet se është datë kritike pasi inaugurimi i Presidentit do të duhet të jetë më 12 maj.

Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, sqarohet se ato mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit rrjedhës ose në afat prej 60 ditëve nga shpërbërja e Kuvendit. Si rrjedhojë, termini i rregullt brenda afatit është 5 maj deri 15 korrik. Nëse zgjedhjet parlamentare mbahen para 5 majit, ato do të llogariten si zgjedhje të parakohshme dhe në këtë rast vlejnë akte tjera, shkruhet në sqarim.

“Partitë të mendojnë të organizojmë grup pune për marrëveshje për zgjedhjet. Nuk kam ndër mend ta thërras askënd. Ata duhet të jenë të përgjegjshëm për këtë çështje. Përgjegjësia ime është që të shpall zgjedhje të rregullta. Data më e hershme është 5 maji. Partitë kur të merren vesh për datë, duhet të kenë parasysh edhe obligimet nga Marrëveshja e Përzhinës për qeveri teknike”, u shpreh Talat Xhaferi,kryetar i Kuvendit.

I pyetur rreth thirrjes së grupit të punës për t’u marrë vesh për zgjedhjet, kreu i opozitares OBRM-PDUKM Hristijan Mickoski tha se nëse ata e thërrasin takimin, do të kundërshtoheshin nga Talat Xhaferi me pretekstin se “ai është kryetar i Kuvendit dhe ai do ta iniciojë”.

“Pastaj do të goditemi pse ne nuk i iniciojmë e pse ai jo. Prandaj thamë, le të ulen dhe të merren vesh. Unë kam informacion se sot do të kenë drekë pune Kovaçevski, Ahmeti dhe Grubi, le të ulen, le të merren vesh dhe le të thonë, kjo e kjo ditë, në këtë orë, grupet e punës do të mblidhen dhe do të flasin për të ardhmen sepse këto dy procese janë kyçe për të ardhmen e Maqedonisë”, tha Hristijan Mickoski, OBRM-PDUKM.

Duke folur për datat 5 ose 8 maji, Mickoski ftoi qeveritarët të marrin një listë të bardhë dhe të shkruajnë datë, qoftë edhe datë afër festave Pashkë dhe Fitër Bajrami, dhe ashtu si pushteti do të vendosë, ashtu OBRM-PDUKM do të pranojë, por shtoi se do të ishte e pamend që të ketë zgjedhje në data të ndryshme dhe të harxhoheshin mjete të buxhetit.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të jashtëm Bujar Osmani, që zgjedhje mund të shkohet menjëherë nëse OBRM-PDUKM voton ndryshimet kushtetuese, Mickoski tha se ndryshime kushtetuese nën këto kushte nuk do të ketë, sepse i quajti kushte nënçmuese dhe antimaqedonase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat