Kasami: Bajraktarizmi ka penguar bashkimin e opozitës shqiptare dikur

Maqedonia

Kasami: Bajraktarizmi ka penguar bashkimin e opozitës shqiptare dikur

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 21:34
Bilall Kasami

Bajraktarizmi dhe egot personale të liderëve të partive politike opozitare, më herët ka qenë shkaku kryesor për mosbashkimin e opozitës shqiptare. Kështu ka deklaruar kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili shtoi se tani më nuk bëhet fjalë se kush do të jetë i pari dhe se bashkëpunimi mes tre partive aktuale të opozitës, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa është i sinqertë dhe shumë serioz.

“Kjo është një vlerë e re të që ne ia ofrojmë skenës politike shqiptare, që ndoshta është atipike për politik bërjen e shqiptarëve në Maqedoni, ku deri tash lufta në opozitë ka qenë luftë për të parin e opozitës. Pra, deri tash partitë shqiptare, aq sa janë deklaruar se mundohen për të ofruar zgjedhje dhe për të bërë ndryshimin për të ofruar rrotacionin politik, janë marrë më shumë me vetveten, se kush do të jetë lideri i opozitës. E dini, në vazhdimësi derisa ishte në skenën politike Menduh Thaçi, ai vazhdimisht e bënte betejën se kush do të jetë i pari i opozitës. Pastaj ndodhi njejtë edhe me pasuesin e tij, nga partia që doli prej PDSH-së dhe deri sot është biseduar se kush do të jetë i pari i opozitës. Dhe, ne e kemi identifikuar këtë si problematikë dhe si çështje, e cila duhet tejkaluar dhe ne e kemi tejkaluar.

Sot, po flasim për bashkimin e tre forcave opozitare në një opozitë të bashkuar dhe në asnjë moment ne nuk e kemi parë momentin se kush do të jetë i pari, i dyti apo i treti. Kjo është një vlerë që ua ofrojmë shqiptarëve”, deklaroi Bilall Kasami.

E keqja e përbashkët është shumë më e madhe se egot dhe kapriçot personale. Kështu ka deklaruar Bilall Kasami, i pyetur për pajtimin me dy liderët e tjerë të partive opozitare, Afrim Gashin dhe Izet Mexhitin.

“Bashkimi jonë është bashkim konceptual, bashkim programor, bashkim i ofertës që e ofrojmë. Pra, nuk ka të bëjë këtu se si e sheh Bilall Kasami, Izet Mexhitin apo Afrim Gashin dhe si e shohin ata Bilallin”, tha Kasami.

Më tej, sipas Kasamit, të tre krerët e partive kanë konstatuar se ajo qasja drejt zgjedhjes së problemeve ka qenë e përbashkët, ndërsa hallet e qytetarëve, sipas tij, kanë qenë shtysa më e madhe për t’u bërë bashkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat