Raporti i KE-së: Maqedonia e Veriut mesatarisht e gatshme në pjesën e transportit

Maqedonia

Raporti i KE-së: Maqedonia e Veriut mesatarisht e gatshme në pjesën e transportit

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në pjesën e transportit. Është arritur përparim i kufizuar në të gjitha llojet e transportit, megjithëse është bërë përputhshmëri e pjesshme me legjislacionin e sigurisë së aviacionit, deklaron Komisioni Evropian (KE) në Raportin e Progresit të Vendit në vitin 2023.

Në raport theksohet se organet inspektuese sektoriale ende nuk kanë kapacitet të nevojshëm administrativ dhe operacional dhe se nuk ka asnjë angazhim politik për realizimin e reformave të nevojshme sektoriale hekurudhore.

Rekomandimet nga viti paraprak, siç thuhet në raport, nuk janë zbatuar dhe mbeten në fuqi.

KE-ja rekomandon që shteti vitin e ardhshëm të sigurojë kapacitete adekuate operacionale dhe administrative për organet inspektuese dhe të zvogëlojë numrin e vdekjeve në rrugë dhe hekurudha. Gjithashtu, të zbatojë masa reformuese për lidhjen hekurudhore, liberalizimin e tregut hekurudhor, miratimin dhe zbatimin e legjislacionit për Sistemet Inteligjente të Transportit (ITS).

Sipas raportit, legjislacioni evropian i transportit përmbahet në dokumentet strategjike kyçe për transportin dhe nënsektorët e tij. Është bërë progres i kufizuar në përgatitjen e planit të veprimit për Strategjinë Kombëtare të Transportit 2018-2030. Tregohet se ka progres në përgatitjen e strategjisë kombëtare të ITS, e cila ende nuk është miratuar dhe se ligjet kombëtare në këtë fushë nuk janë në përputhje me Direktivën përkatëse Evropiane.

Komisioni Evropian thekson se vendi ende nuk ka kapacitet adekuat operacional dhe administrativ për të gjitha llojet e transportit dhe se nuk janë bërë përpjekje për t’i forcuar ato, gjë që, siç thekson, rezulton në zbatimin joefektiv të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Në fushën e aviacionit, sipas KE-së, vendi ka një nivel të mirë përputhshmërie me legjislacionin evropian, si dhe respektim të pjesshëm me legjislacionin e sigurisë së aviacionit.

“Maqedonia e Veriut duhet të shtojë përpjekjet e saj për të harmonizuar dhe zbatuar legjislacionin evropian për të drejtat e pasagjerëve”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat