Maqedonia e Veriut mesatarisht e gatshme në fushën e tatimimit

Maqedonia

Maqedonia e Veriut mesatarisht e gatshme në fushën e tatimimit

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit tonë për vitin 2023, në kapitullin 16, thuhet se jemi mesatarisht të përgatitur në fushën e tatimimit dhe se është arritur njëfarë progresi, veçanërisht në ndryshimin e rregullores tatimore preferenciale në Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike.

“Si rezultat, Maqedonia e Veriut u hoq nga lista e Aneksit II të juridiksioneve jobashkëpunuese për qëllime tatimore. Vendi fillimisht duhet të nisë me shkëmbimin automatik të informacioneve për llogaritë financiare sipas standardit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)”, thuhet në raport.

Rekomandimet nga raporti i vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht dhe mbeten në fuqi. Në vitin e ardhshëm, sipas KE-së, është veçanërisht e nevojshme të zhvillohet një sistem i ri i integruar tatimor i TI-së për Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP), të përmirësohet administrimi i rrezikut të pajtueshmërisë dhe procesi i reformës strategjike të DAP-it, si dhe fillimi i përgatitjeve për vendosjen e një mekanizmi për zbatimin e shkëmbimit automatik të informacioneve mbi llogaritë financiare me anëtarët e BE-së në përputhje me standardin global të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Lidhur me tatimimin indirekt, përjashtimet nga TVSH-ja dhe normat preferenciale për produktet bazë thuhet se janë modifikuar në fund të vitit 2022. Për disa prodhime energjetike është aplikuar një normë preferenciale e TVSH-së prej 10 për qind për të zbutur efektet e çmimeve të larta ndërkombëtare të energjisë. Norma preferenciale e TVSH-së prej 10 për qind për energjinë elektrike të amvisërive është aplikuar deri më 30 qershor 2023.

Theksohet se vonesat në procesin e rimbursimit të TVSH-së po vazhdojnë, ku vetëm 45 për qind e kërkesave të paraqitura në vitin 2022 janë rimbursuar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat