Mexhiti: Sigurohen sensorë për matjen e vazhdueshme dhe pa dhimbje të glicemisë tek fëmijët

Maqedonia

Mexhiti: Sigurohen sensorë për matjen e vazhdueshme dhe pa dhimbje të glicemisë tek fëmijët

Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 13:57
Mexhiti: Sigurohen sensorë për matjen e vazhdueshme dhe pa dhimbje të glicemisë tek fëmijët

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, vizitoi sot Klinikën për sëmundjet e fëmijëve me rastin e ndarjes së sensorëve falas për matjen e glukozës në gjak tek pacientët më të vegjël.

Mexhiti njofton se janë blerë sensorë për 650 pacientë, të destinuar për fëmijë dhe të rinj deri në 18 vjeç me diabet tip 1, shtatzëna me diabet tip 1, personave të verbër, ndërsa pjesa tjetër e sensorëve do t’i ndahet Klinikës Universitare të Endokrinologjisë.

“Më vjen mirë që më në fund është bërë furnizimi me sensorë për matjen pa dhimbje të glukozës në gjak. Në vend të shpimeve të zakonshme, një procedurë e dhimbshme dhe që shkakton trauma tek fëmijët, tashmë glicemia e tyre do të matet me sensorë, duke ndjekur teknologjinë më të fundit. Me këtë ne rrisim ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijëve. Ashtu si në vendet e tjera të botës, është përgjegjësia jonë si Ministri e Shëndetësisë që të ofrojmë kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët e vegjël të cilët duhet të rriten në indivië të shëndetshëm”, theksoi ministri Mexhiti gjatë vizitës.

Përndryshe, përdorimi i sensorëve ka përfitime të shumëfishta. Para së gjithash, ai lejon arritjen dhe ruajtjen e glicemisë në çdo kohë, parandalimin e komplikimeve nga diabeti, optimizimin e aftësisë së të mësuarit të të rinjve me diabet, dhe gjithashtu u lejon prindërve të masin gliceminë e fëmijëve gjatë natës pa pasur nevojë t’i zgjojnë ata. Njëkohësishtë, sistemet alarmojnë dhe parandalojnë gjendjet akute të diabetit si hipoglikemia dhe hiperglicemia. Sensorët janë të thjeshtë për t’u përdorur, vendosen në pjesën e sipërme të krahut dhe matet glicemia me pajisje elektronike ose celular.

“Si Ministër i Shëndetësisë edhe për periudhën e ardhshme do të zotohem që metodat më bashkëkohore për trajtim të diabetit, të jenë në dispozicion të pacientëve tanë, sepse kur bëhet fjalë për një pacient me diabet, duhet të kemi parasysh që është një mënyrë jetese”.- theksoi Ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat