Familja Qirazi-Dako nuk merr leje nga David Hosaflook për ta konfirmuar përkatësinë ortodokse shqiptare

Maqedonia

Familja Qirazi-Dako nuk merr leje nga David Hosaflook për ta konfirmuar përkatësinë ortodokse shqiptare

Nga: Robert Dako Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 19:21
Robert Dako dhe Rozi Dako

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, publikoi lajmin, në datën 24.11.2023, mbi vërtetimin e përkatësisë ortodokse shqiptare të familjes Qiriazi, bazuar në dokumentet zyrtare të arkivit të Bashkisë Tiranë të vitit 1930, ku rezulton përkatësia fetare e Sevasti Qiriazit, Kristo Dakos, e dy bijve e tyre Aleksandrit, babait tim, Gjergjit si edhe e Parashqevi Qiriazit së bashku me certifikatën e vdekjes së Sevasti Qiriazit, lëshuar nga Kisha e Shën Prokopit në Tirane më 1949 dhe të Kristo Dakos, shërbimin fetar të të cilit e ka kryer Kryepeshkopi Kristofor i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare i përkrahur prej gjithë klerit Ortodoks të Kryeqytetit, më 1941. Këto dokumente janë po ashtu të konfirmuar nga dëshmia ime si nipi i Kristos dhe i Sevastisë. Këto dokumente u prezantuan në praninë time e falë Zotit, unë jam akoma gjallë dhe do të vazhdoj të dëshmoj, sado që ISSHP guxon publikisht të më mohojë që unë jam nipi i tyre duke më etiketuar me “ata dy/tre persona”, dhe atyre që më njohin u transmetojnë të tjetërsuara dëshmitë e mia mbi paraardhësit duke tejkaluar problemet e thella të krijuara nga ISSHP-së.

Kjo deklaratë e imja është rrjedhojë e aktit të fundit, por jo të vetëm prej kohësh, të reagimit arrogant e mëtues të ISSHP në shkrimin e tyre në faqen FB të Institutit, më datën 26.11.2023, ku vazhdohet të publikohen një sërë manipulimesh, me titull “Si bëhet shkencë në ITSHKSH Shkup”? Në këtë shkrim, ndër të tjera, me një gjuhë të ulët, absolutisht e padenjë për këdo institucion, pretendohej në mënyrë skandaloze dhe violente mos ndërhyrja në narrativën e historiografisë së Qiriazëve të ndërtuar nga përfaqësuesit e saj në mënyrë keqdashëse e sistematike, duke na përdorur dhe implikuar edhe ne familjarët në mënyrë tinëzare. “Si guxoni të ndërhyni...” është fraza më e turpshme e shprehur nga ta duke harruar, por po ja kujtojmë, që së pari jetojmë në një shtet demokratik falë edhe martirizimit të familjarëve të mi dhe jo vetëm do guxojmë por edhe do demaskojmë veprimet e tyre të pabesa, dhe së dyti vëllezërit Qiriazi dhanë jetët e tyre vetëm për popullin Shqiptar dhe ATA i përkasin vetëm Kombit Shqiptar dhe ASKUJT TJETËR.

Prestigjin e familjes Qiriazi e Dako, që buron në mënyrë të natyrshme prej veprës së tyre titanike, nuk i është dhënë e drejtë askujt ta tjetërsojë, siç po bën prej vitesh ISSHP, as të dalë flamurtar për të censuruar e ndaluar çdo të vërtetë që shprehin me aktin e tyre të vullnetshëm pasardhësit e tyre të cilët duan të respektojnë jetën shpirtërore personale sipas parimeve ortodokse. Ortodoksia është djepi i rezistencës shqiptare dhe bijtë e saj më të mirë, siç ishin Qiriazët, Dakot, Luarasët, etj., të cilët gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tyre thelbësore kanë qenë qartësisht misionarë të çështjes Kombetarë dhe ndjekës të Ungjillit, si besimtarë të Krishterë Ortodoks, Gjon 8:32b "e vërteta do t'ju bëjë të lirë", kanë ngritur në këmbë një popull, udhëhequr nga projekti i Rilindjes Kombëtare. Mospranimi me dhunë nga ana e ISSHP-së të përkatësisë shpirtërore ortodokse të vëllezerve Qiriazi, duke eliminuar qëllimisht çdo dëshmi familiare o istituzionale, është thjesht e shkaktuar nga humbja e privilegjeve dhe e përfitimeve që vazhdojnë të arrihen duke shfrytëzuar prestigjin e Qiriazëve. Imazhi i tyre (në kuptimin më të gjerë të fjalës) dhe çdo aspekt tjetër, mbi të gjitha ai historik, nuk i përket dhe nuk është monopol i ISSHP-së.

Është i pabesueshëm dhe e i pa pranueshëm shantazhi dhe reagimi kërcënues i ISSHP ndaj paraqitjes publike dhe njohjes së autenticitetit të një dokumentit shtetëror, që shpalosin[RD1] përfaqësuesit e një institucioni “shkencor” të një komuniteti fetar shumë të nderuar, siç mbahet ISSHP, që shprehet me një stil prepotent dhe me një përmbajtje që tregon pa asnjë dyshim që nuk e kanë përvetësuar kurrë fjalën e ungjillit. Ata që Udhën e Ungjillit e kanë humbur një herë e mirë dhe si tregtarë kanë zënë udhën e biznesit duke shitur figurat e patrioteve Qiriazi e Dako, duhen dëbuar nga tempulli (Marko 11, 7-19; Mateo 21, 8-19; Luka 19, 45-48; Gjoni 2, 12-25). Në këtë pikë është për t’u dyshuar nëse kanë lëçitur ndonjëherë Ungjillin.

Bëjmë të ditur që familja Qiriazi-Dako nuk do të ndalet këtu, edhe sepse, përfaqësuesve të ISSHP-së, kur u ka leverdisur, kanë shfrytëzuar e manipuluar dokumentet e dëshmitë e familjarëve sipas interesave të tyre, mund të thuhet, veçanërisht personale. Ҫuditërisht, ata tani vënë në dyshim vërtetësinë e një dokumenti zyrtar të paraqitur nga ne kinse “vjen një njeri me disa fotokopje …”, duke cënuar rëndë e në mënyrë të turpshme kredibilitetin dhe ndershmërinë time si pjesëtar i familjes Qiriazi - nip i Sevasti Qiriazit - së bashku me të cilën kemi vuajtur ferrin e komunizmit, apo bashkëjetesën nën të njëjtin kulm me Parashqevinë deri në moshën 37 vjeç. Këtë bëjnë pikërisht drejtuesit e ISSHP që, përveç të tjerash, u pëlqen të shkojnë në televizione dhe evente të shumta, të organizojnë takime me personalitetet më të larta shqiptare, dhe të tregohen te mallëngjyer për vuajtjet tona familjare gjatë diktaturës e ndërkohë shprehen me gjuhë denigruese kur paraqesim një dokument që hedh poshtë gjithë tezat manipuluse të ndërtuara me mjeshtëri në mënyrë konstante, duke mohuar dhe çvlerësuar vlerën unikale dhe rëndësinë e këtij dokumenti zyrtar.

Nëpërmjet shkrimit, kanë përdorur një shantazh jo të drejtpërdrejtë për mua, por turpshmërisht, drejtuar institucionit të nderuar të ITSHKSH me Drejtor Zotin Asani, “si guxon ITSHKSH të ndërhyjë në figurat themeltare të Kishës Ungjillore Shqiptare”. Duhet vënë në pah se këto qëndrime posesive-obsesive mbahen kundrejt Qiriazeve e K. Dakos prej kohe, por paraardhësit e mi nuk janë pronë e ISSHP-së. Patriotët Qiriazi e Dako me kontributin e tyre kanë treguar që janë figura kombëtare dhe intelektualisht të lira duke u deklaruar në shumë forma dhe me pathos të fortë që nuk lë asnjë gjurmë keqinterpretimi, duke ia shpallur kështu gjithë botës në mënyrë publike, por sot me një aktualitet të jashtëzakonshëm, veçanërisht këtyre Instituteve që themelohen për të shtrëmbëruar historiografinë shqiptare për interesa përfituese, se Qiriazët dhe Dako janë themeltarë të çështjes Shqiptare:

“Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj duke i dhënë kështu qëllim jetës sime”. (S. Qiriazi)

Kur të gjendet ndonjë deklaratë e Sevastisë apo anëtarëve të tjerë ku të shprehen mbi fenë/vetveten si “figura themeltare të Kishës Ungjillore Shqiptare” (citim i ISSHP) e që janë bërë theror si të tillë e jo si persona që duke qenë të krishterë ndiqnin mësimet e vlerat e Krishtit, pra ungjillin, për t’ju dedikuar me çdo grimë të qenies së tyre kombit shqiptar, mbase mund të kalojnë kohën poshtë e lartë nëpër programe televizive duke u shtirur për vuajtjet tona, por deri atëherë mos të mendohet që nëpërmjet shantazheve, fyerjeve e denigrimeve mund të manipulojnë, këtej e tutje, fakte, persona e institucione publike e private e mbi të gjitha të frenojnë e/o të kontrollojnë daljen në pah të së vërtetës.

Gjyshja ime, Sevasti Qiriazi, e parashikonte se si, e me kë, mund të haseshin këto probleme dhe e ka lënë të shkruar kështu që askush s’duhet të guxonte të ndryshonte paradigmën e veprës së saj/tyre të shkruar me gjak e sakrifica dhe të gjithëve u mbetet vetëm ta respektojnë, e të heshtin të përgjunjur përpara madhështisë së tyre. Por, meqenëse personat në fjalë, z. David Hosaflook, z. John Quanrud etj, nuk respektojnë të gjallët, aq më pak presim të respektojnë të vdekurit duke turpëruar kështu përkatësinë e tyre fetare shumë të nderuar që nuk meriton përfaqësues me një nivel kaq të ulët moral e etik.

Me këtë mentalitet prepotent, eshtrat e të ndjerit Gjerasim Qiriazi janë ngritur nga varri e zhvendosur në kufi me Bullgarinë ku nuk ka lidhje historike, familjare, shpirtërore e aq më tepër pa konsultuar familjen e madhe Qiriazi që gjendet në Maqedoninë e Veriut, në Tiranë, apo në Amerikë ku ndodhen pasardhësit në linjë të drejtë të Gjerasimit, të cilët sigurisht me shumë dëshirë, si dhe ne, duhet të ishim të përfshirë përgjegjshmërisht në këtë ngjarje.

Më tej, habit pretendimi i tyre: “asnjë debat kolegjial me historianët e specializuar për temën në fjalë”, por lind pyetja për cilët historianë bëhet fjalë kur z. David Hosaflook e z. John Quanrud i kanë ofruar publikut dhe kujtdo një pastiço historike të përpunuar me preparate ideologjike e të prezantuar si origjinale. Për cilin “debat kolegjial” bëjnë fjalë, kur deri më sot janë imponuar si subjekt i vetëm që “lëvron” figurat e Qiriazëve në mënyrë autoreferenciale, duke anashkaluar çdo formë kolegjialiteti apo debati e janë imponuar si regjia e vetme që kontrollon botimin e veprave intelektuale të Qiriazëve e Dakos, madje edhe mbi vepra që kanë akoma të drejtën e autorit, duke bërë fakt të kryer një ideologjie fetare të paqenë, me ngjitjen e një etikete, të këtyre shkrimeve thellësisht laike.

E vazhdojnë me të njëjtën arrogancë “ndryshime kaq të mëdha bëhen me botime kritike,… nuk bëhet publik”, pikërisht ISSHP-ja që me bashkëpunëtorë të orkestruar kanë bërë ndryshime radikale, me shtesa tendencioze o fshirje faktesh, duke sjellë ata vetë “ndryshime kaq të mëdha” saqë kanë shpërfytyruar thelbin e mendimit të pastër që Qiriazët mbartin mbi botën dhe veprimtarinë e tyre, duke ndryshuar paradigmën e veprimtarisë së tyre nga patriotike në fetare ndërkohë që baza e frymëzimit ishte Lëvizja Rilindase e jo fetare, edhe pse ortodoks. Për të imponuar paradigmën e saj të përveçme ISSHP, drejtuar nga z. David Hosaflook e z. John Quanrud, kanë përdorur sistematikisht veprat intelektuale të Qiriazëve dhe Dakos të cilat nuk mbështesin aspak paradigmën fetare. Shprehja kaq e hapur mbi kontrollin absolut që pretendojnë të ushtrojnë mbi historiografinë e Qiriazëve duke ndaluar publicitetin e të vërtetës me “nuk bëhet publik”, në fakt tregon se ndihen të cënuar në biznesin e ngritur.

Këto transformime dhunuese të veprave madhore të Qiriazëve do lënë gjurmë katastrofike në të ardhmen e historiografisë shqiptare dhe si rrjedhojë kërkojmë të ndalohet kategorikisht publikimi i tyre, që këtej e tutje, me logon e Institutit ISSHP, sepse janë shkelur, ndër të tjera, parimet themelore të të drejtave të autorit e duke tjetërsuar mbi të gjitha mesazhin që ato libra kanë dashur të transmetojnë. Për dëmin e madh të imazhit të familjes do marrim të gjitha masat që i përkasin kompetencave tona si detyrim i pashmangshëm për te çuar përpara në mënyre besnike dëshminë, fjalën dhe veprën e tyre.

Si pasardhës i patrioteve Qiriazi e Dako do të bëj të njohur këtë fakt të rëndë dhe gjithashtu do të ftojmë të gjitha institucionet publike dhe shtetërore të shprehin solidaritet ndaj familjes dhe ndaj ITSHKSH në Shkup, si edhe Drejtorit të Institutit Skënder Asani, për sulmin publik të ndërmarrë nga Drejtuesi i ISSHP dhe cënimin e të drejtave të independencës institucionale.

Ky është një akt tepër i rëndë dhe i pa tolerueshëm, prandaj duhet mbajtur qëndrim e të dënohet në mënyrë që askush mos të mendojë me arrogancë të jetë mbi institucionet, mbi kulturën, mbi lirinë, mbi vlerat qofshin ato qytetare, apo fetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat