Pendarovski nesër do ta mbajë fjalimin vjetor, Kuvendi këtë vit do të punojë deri më 29 dhjetor

Maqedonia

Pendarovski nesër do ta mbajë fjalimin vjetor, Kuvendi këtë vit do të punojë deri më 29 dhjetor

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 13:08
Stevo Pendarovski

Në Kuvend nesër do të mbahet fjalimi tradicional i fundvitit i presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, ndërkaq nëse në Kuvend ka kuorum, mund të mbahen vazhdimet e mbledhjeve për të cilat ka kushte për atë. Për më 22 dhjetor është caktuar mbledhja e rregullt në të cilën do të fillojë debati për Buxhetin për vitin 2024, informoi sot në takim me koordinuesit e grupeve të deputetëve kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Mbledhja për pyetje të deputetëve, e fundit për këtë vit, do të mbahet të enjten më 28 dhjetor, ndërsa Kuvendi do të punojë deri të premten, 29 dhjetor. Mbledhja e parë e ardhshme do të jetë më 9 janar 2024, ndërsa gjatë muajit do të ketë me siguri edhe një mbledhje të re. Më pas mbledhja për zgjedhje të qeverisë teknike që duhet të ndodhë më 28 janar, kryeministër i së cilës do të jetë Xhaferi.

Xhaferi në koordinim gjithashtu informoi për procedurën për zgjedhje të anëtarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, që duhet të zgjidhet me shumicë prej dy të tretash.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi më 15 dhjetor, kryetarëve të partive opozitare shqiptare, Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Bilall Kasami, Arianit Hoxha dhe Skender Rexhepi-Zejd ua dërgoi Raportin e Komisionit kuvendor për çështje të zgjehdjeve dhe ndryshimeve me listën e konstatuar të kandidatëve për anëtar të KSHZ-së.

Ata më së voni deri sot, deri në orën 16:30, duhet t’i dorëzojnë me shkrim propozimin për anëtar të KSHZ-së nga lista e parashtruar.

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve konstatoi listë me pesë kandidatë prej të cilëve duhet të zgjedhet anëtari i KSHZ-së dhe atë Berat Dauti, jurist i diplomuar nga Tetova, Abdush Demiri, ekonomist i diplomuar nga Tetova, Robert Trajkovski, magjistër për paqe dhe zhvillim nga Kumanova, Zulfi Adili, jurist i diplomuar nga Shkupi dhe Samir Rakipi, jurist i diplomuar nga Tetova.

Në koordinim nuk morën pjesë përfaqësuesit e OBRM-PDUKM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat