Lëvizja Besa: Ministria e Arsimit vazhdon talljen me nxënësit, ministri Shaqiri ka dështuar totalisht

Maqedonia

Lëvizja Besa: Ministria e Arsimit vazhdon talljen me nxënësit, ministri Shaqiri ka dështuar totalisht

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 13:01
Lëvizja Besa

Lëvizja Besa ka dalë me reagim ndaj ndihmës së Qeverisë për nxënësit, prindërit e të cilëve kanë të ardhura të ulta.

Nga Lëvizja Besa thonë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka të ndalur me talljet që i bën me nxënësit në vendin tonë.

Pas dështimit të furnizimit të tyre me libra, notimit tejet të dobët të PISA-s, por edhe uljen e fondeve për shkollat fillore, gjëra këto që do të dëmtojnë pafund arsimin fillor në vend, tallja e radhës e Ministrisë së Arsimit dhe ministrit Jeton Shaqiri sipas Lëvizjes Besa, është ndihmat financiare që do t’iu jepen nxënësve për gjashtë muaj rresht.

“Si e para, Ministria e Arsimit duhet të përgjigjen nëse këta fëmijë do të jenë nxënës vetëm gjashtë dhe duhet të ndihmohen vetëm gjashtë muaj, e më pastaj ta lejnë shkollën apo të mos marrin ushqime, apo edhe të vazhdojnë më tej. E dyta, Ministria e Arsimit dhe ministri i saj dështak Jeton Shaqiri, duhet që bashkë me shefin e tyre Artanin, të përgjigjen se përse kjo ndihmë financiare për nxënësit vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve edhe atë fiks gjashtë muaj, pra vetëm, derisa të përfundoj procesi zgjedhor?”.

“E treta, përse Ministria këto para nuk i ndau që të sigurojë libra për nxënësit, që të njëjtët të mund të zhvillojnë procesin edukativo- arsimor si duhet, dhe jo t’ua laj kokën me akull gjoja se i ndihmon financiarisht, e nga ana tjetër, nuk është e aftë për të siguruar as librat për këto nxënës”, thonë nga Lëvizja Besa.

“Ne si Lëvizje Besa kemi alarmuar disa herë dhe do të alarmojmë gjithnjë se kjo Qeveri nuk ka asgjë më shumë për tu ofruar qytetarëve të këtij vendi, përveç se premtimeve boshe, mashtrimit dhe pisllëqeve në kurriz të popullit. Sot e dy dekada, kjo Qeveri ka bërë dhe vazhdon të bëj vetëm propagandë dhe mashtrim të popullatës gjoja se për përmirësim të kushteve, e nga ana tjetër, popullatën e përcjell gjithnjë e më shumë rrugëve të mërgimit”.

“Pas zgjedhjeve, dhe pas dëbimit të kësaj qeverie të krimit, Lëvizja Besa, dhe bashkërisht si LEN, do të ndjek penalisht çdo manipulim dhe keqpërdorim të kësaj Qeverie. Ndërsa ministrat që përditë mashtrojnë këtë popullatë me projekte boshe, do ta vjellin çdo cent që e vodhën nga kjo popullatë”, thuhet në reagimin e partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat