“Vlojnë” konkurset për punësime një muaj para qeverisë teknike

Maqedonia

“Vlojnë” konkurset për punësime një muaj para qeverisë teknike

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 11:08
Dy të rinj para ndërtesës së Qeverisë maqedonase në Shkup

Një muaj para formimit të qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, janë hapur dhjetëra konkurse për për punësime në ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore.

Sipas dispozitave ligjore që kanë të bëjë me punën e qeverisë teknike, ndalohen punësimet me afat të pacaktuar, përveç atyre që janë të domosdoshme për funksionimin normal të tyre.

Formati i ri i qeverisë, në të cilin merr pjesë edhe opozita me dy ministra dhe katër zëvendësministra, ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.

Qeveria teknike duhet të nisë me punë më 27 janar 2024, apo 100 ditë para çdo cikli zgjedhor dhe shumë institucione e ndërmarrje po e shfrytëzojnë kohën e mbetur për të realizuar punësime në pozita të ndryshme.

Kompania shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) ka hapur konkurs për 500 punëtorë, të cilët varësisht pozitës do të kenë një pagë mujore prej 500-1000 euro.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka shpallur konkurs për 41 vende të lira pune, Ministria e Punëve të Jashtme për 15 sosh, nëntë punësime kërkohen nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, tetë nga Ministria e Informatikës dhe Administratës Publike. Ministria e Drejtësisë kërkon të punësojë njerëz për tri pozita në kabinetin e ministrit, ndërsa konkurse janë shpallur edhe nga ministri të tjera, por edhe nga shumë ndërmarrje tjera publike, spitale, shkolla, komuna e kështu me radhë.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në opinion se “partitë politike nuk po heqin dorë nga avazi i vjetër për punësime në prag të zgjedhjeve me qëllim të blerjes së votave”.

Nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, në disa raste është kërkuar sqarim se pse punësimet e tilla bëhet pikërisht tani kur deri në shpalljen e qeverisë teknike ka mbetur rreth një muaj.

Përgjigjja e tij në vazhdimësi ka qenë se punësimet bëhen varësisht nevojave të institucioneve dhe se ato nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet.

“Unë nuk do të thosha se bëhet fjalë për punësime parazgjedhore pasi zgjedhjet janë më 8 maj, ndërsa ne tani jemi në muajin dhjetor. Këtu nuk shoh diçka parazgjedhore. Me siguri se bëhet fjalë për punësime që kanë të bëjnë me procesin tekniko-teknologjik të kompanive apo nevojave për punësime në institucionet tjera”, ka thënë Kovaçevski.

Por, opozita ka pyetur Qeverinë se pse punësimet “e nevojshme” nuk i ka bërë më herët, por pikërisht në këtë periudhë që lë dyshime se pushteti po synon që përmes punësimeve të “shpëtojë nga disfata e thellë në zgjedhje”.

“Me këto punësime ata mendojnë se mund ta zbusin humbjen në zgjedhje apo të amortizojnë fitoren e VMRO DPMNE-së. Unë nuk jam kundër punësimit të njerëzve. Ata duhet të punësohen, nëse ka nevojë për diçka të tillë dhe i inkurajoj institucionet që ta bëjnë një gjë të tillë, por çështja është se pse kjo nuk u bë para një muaji apo para një viti. Pse këto punësime bëhen tani një muaj para formimit të qeverisë teknike”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Institucionet, ndërkohë, po realizojnë edhe punësime të përkohshme duke u premtuar të punësuarve se kontratat e tyre do të vazhdohen pas skadimit të tyre.

Punësimet e tilla konfirmohen edhe nga Agjencitë për Punësime të Përkohshme duke veçuar ato në sistemin shëndetësisë, arsimit, administratës, gjyqësorit dhe një sërë institucionesh tjera.

“Përmes nesh ata punësojnë njerëzit e tyre nga partia. Tashmë i kanë përzgjedhur njerëzit vet dhe ne duhet të zbatojmë procedurat që gjithçka të jetë e ligjshme”, thotë pronari i një Agjencie për Punësim të Përkohshëm në Shkup, i cili deshi të mbetej anonim.

Shkeljet ligjore gjatë “punësimeve partiake” në vazhdimësi janë denoncuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por vërejtjet e tij asnjëherë nuk janë marrë parasysh.

Nga viti 2019 kërkojmë që kjo mënyrë e punësimit të hiqet. Kjo na mori një mandat të tërë... Ka lista partiake që janë dërguar në agjencitë e punësimit, nuk ka transparencë se si zgjidhen kandidatët, kujt si t’i teket hap vende të punës”, thotë për Radon Evropa e Lirë anëtari i komisionit, Nuri Bajrami.

Qeveria më herët kishte dalë me një propozim-ligj për ndalimin e punësimeve të përkohshme, por edhe rregullimin apo ndërmarrjen e masave shtesë për kontrollit e punësimeve gjatë cikleve zgjedhore, por zbatimi i ligjit të miratuar është shtyrë për në vitin 2025.

Nga Komisioni Antikorrupsion thonë se bëhet fjalë për shtyrje të qëllimshme të zbatimit të ligjit.

“Zbatimi i këtij ligji nga viti 2025 bëhet me qëllim që të kalojë ky rund zgjedhjesh, pastaj të kalojnë edhe zgjedhjet lokale dhe më pas le të bëjnë çfarë të duan. Kjo paraqet rrezik të madh, për korrupsionin politik, nepotizmin dhe kjo e dëmton rëndë gjithë sundimin e ligjit”, thotë Bajrami./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat