Partitë në Maqedoni përplasen për qeverinë teknike dhe përbërjen e KSHZ-së

Maqedonia

Partitë në Maqedoni përplasen për qeverinë teknike dhe përbërjen e KSHZ-së

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 09:13
Foto ilustrim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i ka bërë thirrje partisë opozitare OBRM-PDUKM që t’i respektojë dispozitat ligjore për pjesëmarrjen e saj në qeverinë teknike, e cila duhet të nisë punën më 27 janar 2024.

Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Pjesë e kësaj qeverie duhet të jetë edhe opozita, së cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa nënshkrimin edhe të zëvendësministrave.

Por, OBRM-PDUKM-ja ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në këtë qeveri, edhe pse zyrtarë të saj në disa raste kanë theksuar nevojën për pjesëmarrje në këtë qeveri, për të pamundësuar, siç kanë thënë, “synimet e pushtetit aktual për keqpërdorimin e procesit zgjedhor”.

Kryeministri Kovaçevski, të mërkurën tha se OBRM-PDUKM-ja e ka për detyrim ligjor pjesëmarrjen në qeverinë teknike.

“Ky është një obligim ligjor për të gjitha partitë politike. Nëse ato nuk i caktojnë anëtarët për në qeverinë teknike, do të thotë se nuk e respektojnë ligjin. Në bazë të Ligjit për zgjedhje dhe qeverinë teknike, çdo parti ka përgjegjësi dhe duhet t’i respektojë ato që procesi zgjedhor të mos njolloset”, deklaroi Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

LSDM-ja, të martën në mbrëmje, miratoi të gjitha vendimet sa i përket pjesëmarrjes së saj në qeverinë teknike.

“Këshilli qendror i LSDM-së ka miratuar tashmë të gjitha vendimet për pjesëmarrje në qeverinë teknike. Bazuar në statusin e partisë tashmë kemi caktuar edhe emrat e anëtarëve të qeverisë, për ministra dhe zëvendësministra plotësues. Ndërkohë, kemi konfirmuar edhe vendimin që koordinatori i Grupit Parlamentar, Jovan Mitrevski, do të emërohet për kryetar të Kuvendit, që do të thotë se ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet tona”, ka thënë Kovaçevski.

Ndërkohë, OBRM-PDUKM-ja ka dalë kundër propozimit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që kryeministër i qeverisë teknike të jetë Talat Xhaferi, që ka edhe mbështetjen e LSDM-së.

Opozita maqedonase akuzon Xhaferin për “shkelje të rregullave” të Kuvendit, ndërsa partia “E Majta” ka ngritur edhe padi penale për shkak të mosprocedimit të një nisme të saj për një referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe, bazuar në “propozimin francez”.

Por, akuzat e tilla janë hedhur poshtë nga BDI-ja, ndërsa Talat Xhaferi të mërkurën tha se pasardhësi i tij, Jovan Mitrevski, do të zgjidhet për kryetar të Kuvendit deri më 20 janar.

Megjithkëtë, deri në formimin e qeverisë së re, partitë politike duhet merren vesh edhe për kompletimin e përbërjes së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve edhe me një anëtar, të cilin e pretendon si opozita shqiptare, ashtu edhe partitë në pushtet.

Bazuar në dispozitat ligjore, në KSHZ me një anëtar duhet të jetë e përfaqësuar opozita shqiptare, por Aleanca për Shqiptarët që është pjesë e qeverisë, pretendon se ky vend i takon asaj pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte në opozitë.

Afrim Gashi nga partia Alternativa, që është pjesë e frontit opozitar, Lidhjes Evropiane për Ndryshim, tha se nëse anëtari i KSHZ-së nuk zgjidhet nga radhët e opozitës, atëherë do të ketë bojkot të punimeve të Kuvendit, por edhe masa të tjera përfshirë edhe bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 8 maj dhe konsiderohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, pasi përbërja e re parlamentare duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese që janë kushti kryesor për integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat