Ziberi: Shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Ziberi: Shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut

Më: 4 janar 2024 Në ora: 14:02
Naser Ziberi

Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2023 ka regjistruar ngecje të shumta sa i përket respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Nuk ka sferë ku nuk ka pasur shkelje, madje në disa prej tyre ka kthim prapa në krahasim me të kaluarën. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi, Avokat i Popullit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, të burgosurit po vuajnë dënimin në mungesë të kushteve elementare dhe kjo nuk përjashton mundësinë e ndonjë përshkallëzimi të situatës nëse nuk ndërmerren masa të shpejta për përmirësimin e kushteve brenda qelive.

Avokati i Popullit thotë se në arsimin fillor nxënësit shqiptarë në disa qytete, përfshirë edhe Shkupin, po privohen nga e drejta kushtetuese për të mësuar në gjuhën amtare, për gjendjen e rëndë në gjyqësor flet më së miri Raporti i Progresit i Komisionit Evropian që ka kritika të shumta, në veçanti për ndryshimet në Kodin Penal që liruan nga ndjekja penale shumë zyrtarë të akuzuar për shpërdorime të shumta.

Problemet sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtrirë edhe në sferën e arsimit, sipas Avokatit të Popullit.

Përveç problemit me mungesën e teksteve mësimore dhe të programeve cilësore, ai ndalet në çështjen e mohimit të së drejtës kushtetuese për mësim në gjuhën amtare.

Një fushë tjetër ku nuk janë respektuar të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit përmend edhe çështjen e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike, në veçanti të shqiptarëve në postet drejtuese në institucionet shtetërore./REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat