Banorët e Matkës: Autobusi vjen kur t’i kujtohet

Maqedonia

Banorët e Matkës: Autobusi vjen kur t’i kujtohet

Më: 19 janar 2024 Në ora: 19:17
Foto ilustrim

Banorët e fshatit Matkë ankohen për mungesë të rregullt të transportit publik. Thonë se detyrohen në këmbë të ecin disa kilometra për të arritur në stacionin e radhës e duke bërë që shpesh të vonohen edhe për në punë. Nga Komuna e Sarajit thonë se janë të njohur me problemin, presin përgjigje nga NQP. Nga atje thonë se reduktimi është për shkak të pushimit dimëror.

“Çdo të dytën ditë unë lajmëroj, thuan ka autobus por s’kanë ardhur të na vizitoje se a ka autobus a nuk ka”, tha një banor i Matkës.

Mungesa e rregullt e transportit publik, ka bërë bashkë banorët e Matkës për të kërkuar zgjidhje. Të revoltuar thonë se autobusi vjen kur t’i kujtohet duke detyruar ata që deri në stacionin e afërt të bëjnë 5 kilometra në këmbë që të mund të arrijnë në vendet e punës ose të kryejnë obligimet e tyre.

“Nuk mundemi ne gjithmonë të shkojmë me taksi sepse nuk jemi aq të pasur, edhe komuna është e njoftuar edhe qyteti i Shkupit edhe ndërmarrja publike për transport, luajnë me ne. Ne nuk duam të jetojmë si në Shkup por kërkojmë që transporti të jetë i rregullt, ja sot ishte në mëngjes e tani në ora 11:00 nuk është askund, me thanë se shoferet i kanë tërhequr nga këtu i kanë dërguar në linja tjera”, deklaroi Shaban Rexhepi, banor i fshatit Matkë.

“Nuk kërkojmë as më tepër as më pak, të jetë linje e rregullt e jo të luajnë ping – pong, sot e lëshojnë e nesër nuk e lëshojnë nuk është ajo zgjidhje dhe kjo nuk është vetëm sot por ka mbi 10 vite që e lëshojnë kur tu kujtohet”, tha një tjetër banor i fshatit Matkë.

“Problemi është tek Danella, një here e lëshon autobusin një here nuk e lëshon, e pyes shoferin më thotë që vozisim fëmijë për në Nerez, e për fëmijët tanë nuk ka thotë. Unë kam edhe dy mbesa dhe një nip dhe ja nga dita e hënë do të duhet t’i barti unë pasi djali nuk është këtu, të hënën do të fillojnë dhe patjetër ti bari unë deri në Gjorçe dhe t’i kthej. Kur të vinë zgjedhjet na thuan të votojmë, nuk do të votojmë më”, theksoi një banorë i Matkës.

Banorët paralajmërojnë bllokim të rrugës nëse nuk zgjidhet problemi me transportin e pa rregullt të fshatit Matkë. Nga komuna e Sarajit thonë se janë të njoftuar me ankesën e banorëve dhe të njëjtën ankesë e kanë dorëzuar deri tek Ndërmarrja e Qarkullimit Publik dhe presin që ky problem të zgjidhet.

“Në lidhje me mungesën e transportit publik, Bashkësia Lokale e vendbanimit Matkë, ka dorëzuar ankesë deri tek Komuna e Sarajit dhe të njëjtën e kemi dorëzuar deri tek Ndërmarrja e Qarkullimit Publik, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ndërmarrjen dhe pritet që ditët në vijim ky problem të zgjidhet”, njoftojnë nga Komuna e Sarajit.

Nga Ndërmarrja për Qarkullimi Publik thanë se shkak i reduktimi të transportit është pushimi dimëror i nxënësve. Ndërkohë nga dita e hënë sindikatat përfaqësuese të Kompanisë së Transportit Publik paralajmëruan se nuk do të ketë transport publik nëse deri atëherë Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk mban seancë urgjente në të cilën do duhet të votohen për subvencionim të NQP-së për vitin 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat