​Xhaferi dorëzoi në Kuvend programin dhe propozimin për ministra

Maqedonia

​Xhaferi dorëzoi në Kuvend programin dhe propozimin për ministra

Më: 27 janar 2024 Në ora: 21:11
Qeveria e Maqedonise

Mandatari për formimin e qeverisë teknike në Maqedoninë Veriore Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend emrat e ministrave teknikë si dhe programin.

Sot më herët zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpalosur emrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të parë shqiptar.

Emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.

Ndërkohë, Xhaferi, i cili do të jetë kryeministër në 100 ditët e ardhshme, tha se formimi i Qeverisë dhe negociatat për formimin e saj do të zhvillohen sipas nevojës politike dhe situatës në vend.

Edhe pse paraprakisht kishte paralajmërime se ka gjasa që vendet e parapara për ministrat nga opozita të mbeten boshe, për shkak të qëndrimit se nuk do ta votojnë Qeverinë teknike, megjithatë edhe emrat e tyre figurojnë në dokumentin e Xhaferit.

Sa i takon VMRO-DPMNE-së, partia e propozoi Pançe Toshkovskin për ministër të Brendshëm, Gjoko Velkovskin për Punë dhe Politikë Sociale, Elena Petrova- zëvendësministre shtesë për Financa, Stefan Andonovski për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave.

Për ministra pa portofol janë propozuar Bojan Mariçiq për çështje evropiane, Fatmir Bitici për çështje ekonomike dhe Slavica Grkovska për politika për qeverisje të mirë.

Shefi aktual i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Mitko Bojmacaliev është kandidat për zëvendësministër shtesë të Punëve të Brendshme, ndërsa në postet ministrore në kulturë, mjedis jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi, janë propozuar ministrat e deritanishëm të LSDM-së.

Por, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk tërhiqet nga qëndrimi se deputetët e tyre nuk do t’i japin mbështetje Qeverisë teknike.

Nuk do të votojnë, por do të jenë pjesë e Qeverisë teknike të cilën do ta drejtojë Xhaferi deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Mickoski thotë se nuk pret të ketë turbullira, por as nuk pret të bëhet më mirë.

“Nuk pres turbullira. Tani nuk e di, me këta njerëz gjithçka është e mundur, gjimnastika, akrobaci, gjithçka është e mundur. Por, nuk pres diçka që do ta cenonte procesin. Ligji është i qartë, Kushtetuta është e qartë… kjo është…”, tha Mickoski.

Ndryshe, në vendin e Talat Xhaferit është zgjedhur Jovan Mitreski. Qeveria teknike do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Nesër në ora 11:00 do të fillojë seanca e Kuvendit me një pikë të vetme të rendit të ditës - zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.

Në programin e publikuar në faqen e Kuvendit, ndër të tjera, shkruhet se prioritet kryesor i Qeverisë është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare të lira, të ndershme dhe demokratike të 24 prillit dhe 8 majit, raportojnë mediat në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat