Shkarkime të drejtorëve dhe kërkesë për ndryshim të ministrave – përçarja në ASH kalon në nivel tjetër

Maqedonia

Shkarkime të drejtorëve dhe kërkesë për ndryshim të ministrave – përçarja në ASH kalon në nivel tjetër

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 11:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Përplasja brenda Aleancës për Shqiptarët ka vijuar me shkarkime të drejtorëve dhe të kryesive të degëve, të cilët kanë mbështetur kryetarin e partisë Arben Taravari.

Qeveria dje shkarkoi dy drejtorë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që shkarkimet të vazhdojnë edhe në Kuvend, pasi dje përkrahësit e Ziadin Selës, nëpërmjet Komisionit kadrovik të partisë, i propozuan kryeministrit shkarkimin e dy ministrave – atë të Shëndetësisë dhe atë të Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Të dy ata dje mbajtën konferencë për shtyp para Qeverisë së RMV-së ku theksuan se kjo është hakmarrje politike.

“Seanca e tretë e Qeverisë është mbajtur jashtë të gjitha procedurave, ndërsa Artan Grubi ka vendosur se cila pikë të kalojë e cila jo”, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.

Artan Grubi, për të gjitha projektet për të cilat është përgjegjës MSHIA a dhe Ministria e Shëndetësisë, thjesht i hodhi poshtë pa i lexuar dhe për fat të keq kryeministri teknik pranoi. Gjithashtu, një nga pikat ishte edhe shkarkimi i dy drejtorëve nga Aleanca për Shqiptarët. Çështjet e tilla të personelit fillimisht duhet të sinkronizohen në nivel të koalicionit qeveritar, e më pas të futen në rend dite”, tha Aliu, duke sqaruar se në rastin ajo procedurë nuk u respektua.

Informacioni i shkarkimit të drejtorëve u konfirmua edhe nga Qeveria nëpërmjet një kumtese.

Qeveria ka vendosur t’i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare shtetërore për qarkullim postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” – Shkup që ta shkarkojë Bujare Abazin, nga detyra si anëtar i Bordit Drejtues – që mban titullin Drejtori i Përgjithshëm, dhe si anëtar i Bordit Drejtues të Shoqërisë Aksionare për të zgjedhur Idri Istrefin. Në seancën e sotme është shkarkuar nga detyra edhe Gazmend Abdija,ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të RMV-së”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Bujare Abazi është nënkryetare e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Gazmend Abdija kryetar i Degës së Gostivarit, të dy përkrahës të Arben Taravarit.

Ministrat Aliu dhe Mexhiti, poashtu mbështetës të Taravarit, kanë thënë se nuk do të japin dorëheqje nga pozitat e tyre. Mirëpo, ASH bëri të ditur se do t’i propozojnë kryeministrit shkarkimin e dy prej tre ministrave që kjo parti ka në qeveri.

Arsyeja për të cilën kërkohet shkarkimi i Aliut dhe Mexhiti është se përmes postit ministror kanë kryer veprime që janë në kundërshtim me Kodin e Etikës, përfshirë shantazhe dhe presione ndaj anëtarëve dhe punonjësve të ASH-së.

Ndryshe, përplasjet brenda ASH-së erdhën pasi kryetari i saj Arben Taravari kërkoi publikisht që partia  të shkojë në zgjedhje së bashku me partitë tjera opozitare shqiptare, ndërsa kundër kësaj dolën anëtarët tjerë të partisë, në krye me kryetarin e Kuvendit Qendror Ziadin Sela. Ky i fundit për të shtunën ka thirrur mbledhje të Kuvendit të partisë, në të cilën siç tha, do të diskutohet për “përgjegjësinë e kryetarit” dhe nuk e përjashtoi mundësinë që ai edhe të shkarkohet

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat