​Qeveria e Maqedonisë së Veriut formon Këshillin për koordinim me NATO-n

Maqedonia

​Qeveria e Maqedonisë së Veriut formon Këshillin për koordinim me NATO-n

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 18:06
Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut sot u mbajt seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Seancën inauguruese e hapi dhe u drejtua nga kryeministri Talat Xhaferi. Në fjalën e tij ai theksoi se ky Këshill sot e konfirmon përkushtimin për sigurinë përmes unitetit dhe lidhjes së fortë me NATO-n dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Talat Xhaferi me këtë rast tha se ky këshill do të ndihmojë në qasjen e institucioneve kur bëhet fjalë për sigurinë në punën e Aleancës Veri-Atlantike.

Xhaferi: Ne formuam një Këshill që përforcon rezistencën tonë

“Duke marrë parasysh sfidat e sigurisë dhe qëndrueshmërisë me të cilat përballet komuniteti euroatlantik, ne formuam një Këshill që përforcon rezistencën tonë dhe do të ndihmojë në paraqitjen tonë të koordinuar si institucione, kur bëhet fjalë për sigurinë në kuptimin më të gjerë dhe punën e NATO-s”, tha Xhaferi.

Ndërsa, Matthew Lawson, ambasador i Britanisë, tha se NATO është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në histori dhe ajo luan një rol të madh të sigurisë për rajonin.

Lawson: NATO luan një rol kyç për sigurinë në rajon

“Sikurse e dini këtë vit NATO kremton 75-vjetorin e themelimit të organizatës. Kjo është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në histori, në kuadër të së cilës më shumë se një miliard njerëz jetojnë në një mjedis më të sigurt. Në kuadër të Ballkanit Perëndimor, NATO luan një rol kyç për sigurinë në rajon për të gjithë ne”, tha Lawson.

Një fjalë rasti mbajti edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, tha se për këta katër vjet të anëtarësimit, Maqedonia e Veriut është partner kredibil i NATO-s. AI gjithashtu foli edhe për rreziqet e sigurisë dhe ndikimin rus në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Osmani: Ekziston rrezik serioz nga rritja e ndikimit rus

“Po rritet kuptimi i asaj se sa i prekshëm është ky rajon. Bosnja e Hercegovina, Kosova e Serbia, nacionalizmi, dilemat rreth orientimit strategjik. Që të gjitha këto mund të jenë pika që lidhen veçmas, mund të jenë linja të frontit. Absolutisht, për disa gjëra mund të flasim në pjesën e hapur të këtij takimi, megjithatë mendojmë se ekziston rrezik serioz nga rritja e ndikimit rus edhe në vendin tonë”, tha Osman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat