Përçarjet në Aleancën për Shqiptarët, Parlamenti do të shkarkojë dy ministra

Maqedonia

Përçarjet në Aleancën për Shqiptarët, Parlamenti do të shkarkojë dy ministra

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 19:28
Kuvendi i Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut filloi pasditen e së premtes seancën për shkarkimin e dy ministrave nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, me kërkesë të ish-kryetarit të kësaj partie, Ziadin Sela, pas përplasjeve me kreun aktual, Arben Taravari.

Krahu i drejtuar nga Taravari vendosi që t’i bashkohet opozitës shqiptare për zgjedhjet e pritshme në maj dhe kjo po shkakton përçarje brenda partisë. Koalicioni qeverisës ka një shumicë të brishtë në parlament, por duket se i arrin votat e nevojshme për ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu pritet të shkarkohen nga parlamenti pasi u rreshtuan me Taravarin lidhur me vendimin e tij për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë.

Krahu i Ziadin Selës ka propozuar për ministër të ri të shëndetësisë Ilir Demirin, mjek – infektolog dhe drejtor aktual i Spitalit të Tetovës dhe për ministër të Shoqërisë Informatike, Naim Bajramin, ish-zëdhënës i partisë.

Kryeministri Talat Xhaferi shpjegoi detyrimet ligjore sa i takon shkarkimit apo zëvendësimit të ministrave të një subjekti politik në qeveri.

"Në bazë të Nenit 94 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut kam kompetenca kushtetuese që para Kuvendit të parashtroj propozimin për shkarkim të anëtarit/ëve të qeverisë për çka vendos Kuvendi. Që në fillim dua të theksoj se propozimi për shkarkim e ministrave nuk ka të bëjë me aspektin profesional të përgatitjeve të tyre. Forca e ligjit thotë se nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të qeverisë; dhe kjo është arsyeja bazë për të cilën propozimi (për shkarkim) ndodhet para jush”, tha zoti Xhaferi.

Për shkarkimin dhe miratimin e ministrave të rinj nevojitet shumica prej 61 deputetëve nga 120 sa ka parlamenti. Shumica parlamentare, sipas bashkërenduesit të ligjvënësve të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Adnan Neziri, i ka votat e nevojshme për këtë.

Mbi tridhjetë deputetë janë paraqitur për fjalim lidhur me çështjen.

Nga ana tjetër, krahu i Arben Taravarit mbrëmë në Kumanovë u mblodh në një tubim me përkrahës dhe delegatë të Kuvendit të partisë për të konfirmuar vendimin e kreut të Aleancës për bashkimin në koalicion me partitë e opozitës shqiptare të cilat përbëjnë atë që njihet si Lëvizja Evropiane për Ndryshim.

Taravari tha se delegatët zyrtarisht vendosën që partia t’i bashkohet opozitës, por krahu i Sela thotë se në takim nuk kanë marrë pjesë shumica e nevojshme e delegatëve dhe vendimin e quan jo legjitim. Ky krah pritet që nesër mbrëma në Shkup ta mbledhë Kuvendin e partisë për të marrë vendime të mëtutjeshme.

Ziadin Sela dhe krahu i tij, përfshirë gjashtë nga tetë ligjvënësit e Aleancës për Shqiptarët si dhe ministri i Drejtësisë, thonë se janë shpërfillur të gjitha organet drejtuese të partisë, teksa ideja e tyre ishte që partia të dilte e vetme në zgjedhjet e 8 majit.

Përplasjet në Aleancën për Shqiptarët filluan pas një takimi në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku mori pjesë edhe Taravari, partia e të cilit vazhdon të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Shkup.

Përplasjet e thelluan edhe më tepër në mes drejtuesve dhe eksponentëve të lartë të partisë, ndërsa u njoftua edhe për një incident fizik në mes aktivistëve të saj.

Më pas, në oborrin e shtëpisë së Arben Taravarit u gjet një plumb, si mesazh kërcënues për jetën e tij, ndërsa autoritetet e rendit nuk e kanë zbuluar ende autorin e kësaj vepre.

Përçarjet brenda Aleancës për Shqiptarët duket se do ta dëmtojnë vetë partinë dhe sipas një pjese të analistëve ajo mund të shkojë drejt shuarjes. ASH-ja aktualisht është partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pas BDI-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat