Pendarovski nuk e nënshkruan Ligjin për lojërat e fatit, kërkon nga Kuvendi ta rinis procedurën

Maqedonia

Pendarovski nuk e nënshkruan Ligjin për lojërat e fatit, kërkon nga Kuvendi ta rinis procedurën

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 18:15
Stevo Pendarovski

Presidenti Stevo Pendarovski vendosi të mos e nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, të cilin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi në seancën e mbajtur më 7 shkurt 2024.

Vendimi, siç informojnë nga kabineti i presidentit Pendarovski, është marrë në bazë të analizës së hollësishme të tekstit të Ligjit dhe procedurës në të cilën është miratuar ky ligj, si dhe pas konsultimeve me Delegacionin e Bashkimit Evropian në vend, si partneri më i rëndësishëm në procesin e negociatave.

“Pendarovski konsideron se ndryshimet dhe plotësimet në ligj janë miratuar përmes përdorimit jo të duhur të procedurës së përshpejtuar për harmonizimin e legjislacionit të RMV-së me ligjin e Bashkimit Evropian, e njohur gjerësisht si “procedura me flamurin evropian”, në situatë të mungesës së “aki” thelbësore (e drejtë e detyrueshme për BE) në fushat e mbuluara nga ky Akt dhe fakti që ligji nuk specifikon as një “aki të BE-së” të kufizuar që mund të jetë relevant”.

“Presidenti Pendarovski, duke pasur parasysh rëndësinë e rregullimit gjithëpërfshirës të kësaj fushe, por edhe shqetësimet legjitime dhe të justifikuara të qytetarëve për ndikimin e mundshëm të dëmshëm të lojërave të fatit dhe argëtimit tek të rinjtë, veçanërisht në zhvillimin e tyre psikologjik, e thërret Kuvendin pa vonesë që të rinis debatin dhe procedurën për këtë çështje, por në një procedurë të rregullt legjislative me debat të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, siç i ka hije një demokracie të pjekur parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit.

Për vendimin, presidenti Pendarovski e ka informuar edhe kryetarin e Kuvendit, Jovan Mitreski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat