Supremja vë në pikëpyetje rigjykimin për rastin “Alfa”, Agim Islami ka 16 vjet që kërkon drejtësi

Maqedonia

Supremja vë në pikëpyetje rigjykimin për rastin “Alfa”, Agim Islami ka 16 vjet që kërkon drejtësi

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 19:43

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë si të pabazë ankesën e të akuzuarit në rastin “Alfa” Almir Dërplanin. Kjo vë në pikëpyetje nëse rasti do të shkojë në rigjykim në Gjykatën Themelore, gjë të cilën po e pret i dënuari Agim Islami që tash e 16 vjet mohon akuzën për të cilën po qëndron në burg. Vendimin e Supremes e komentoi vetë Islami në Facebook.

“Vazhdojnë padrejtësitë, vazhdojnë zvarritjet për rastin Alfa. Tani e ka radhën Gjykata Themelore të vendosë për ankesën time që gjendet në sirtarët e tyre qe 2 vite pa asnjë vendim, shpresoj të marrin parasysh të gjitha dëshmitë e reja që dëshmojnë se njerëz të pafajshëm qëndrojnë në burg, vendimi të jetë i shpejt, pa zvarritje të reja dhe të rikthehet rasti Alfa nga fillimi. Liri për rastin Alfa asgjë tjetër. 2008/2024 – 16 vite në Burg pa asnjë faj”.

Edhe ish i akuzuari në rastin “Alfa”, Ramiz Dauti, thotë se nuk e ka pritur nga Supremja një vendim të këtillë, të cilin e quan të padrejtë.

“Përveç asaj që ne kemi fakte të reja, kemi bërë një ekspertizë të mirë për Agimin që dëshmon se Agimi nuk është fajtor për rastin në fjalë. Ne tash kërkojmë që vetëm të mos zvarritet, për shkak se e kemi pritur gjykatën e Apelit dhe gjykatën Supreme tashmë 26 muaj, deri më datën 14, dje, që të merret vendimi kështu që ne kërkojmë vetëm të mos zvarritet dhe të vendoset në bazë të provave që i kemi”, deklaroi Ramiz Dauti.

Avokati i të dënuarit Almir Dërplanin, Asmir Alispahiq, thotë se vendimi i djeshëm i Supremes i ka goditur të gjithë. Shpjegon se tani lënda fizikisht do të kthehet në gjykatën themelore ku do të vendosej në bazë të kërkesës së dorëzuar para 4 vitesh nga Agim Islami për rigjykim me dëshmi të reja, pra ekspertizën e bërë dhe e cila, sipas palës mbrojtëse, dëshmon se të dënuarit nuk janë fajtorë.

Së pari kjo hap mundësinë që gjykata e shkallës së parë të vendosë mbi këtë kërkesë, por çfarë vendimi do të sjellë, unë nuk e di. Nëse më pyesni mua se çfarë duhet bërë, fillimisht duhej të hynte në fuqi kjo ankesë e Almir Dërplanin, lënda të kthehet, të miratohet kërkesa e Agim Islamit, dhe rigjykim të kishte për të dy. Në këtë situatë tani, mund vetëm të apeloj që të shqyrtohen të gjitha dëshmitë që mbrojtja i jep që nga fillimi”, deklaroi Asmir Alispahiq, Avokat i Almir Dërplanin.

Alispahiq përfundon duke thënë se jo vetëm Agim Islami, por as Almir Dërplanin e as tashmë i ndjeri Rexhail Qerimi, nuk meritojnë të kalojnë nëpër këtë golgotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat