ASH e Ziadin Selës: Kongresi i Arben Taravarit është jo legjitim

Maqedonia

ASH e Ziadin Selës: Kongresi i Arben Taravarit është jo legjitim

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Përkrahësit e Ziadin Selës brenda ASH-së kanë reaguar ndaj pohimeve të sotme të ish-ministrit Azir Aliu, i cili në një konferencë për shtyp tregoi për shkeljet që janë bërë brenda partisë.

Nga kabineti i Selës thonë se dy ish-funksionar qeveritar dhe një anëtar i larguar, asnjëri prej tyre funksionar partiak e as kuvendar, tentuan të kontestojë të drejtën statutare të veprimit të Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Kuvendit dhe gjithë anëtarëve dhe zyrtarëve të zgjedhur nga organet legjitime të partisë.

Prej atje në reagim thonë se “gjithçka që tha Azir Aliu është e pavërtetë dhe tentim për manipulim”.

“E para, Kuvendin e thërret Kryetari i Kuvendit, ndërsa sa për konsultim me kryetarin e partisë, e kemi pritur dy muaj të thërret Kryesinë, e kemi pritur me javë për takim, por paraprakisht edhe jemi konsultuar. Jolegjitim dhe ilegal është tubimi i thirrur në Kumanovë ku nuk pati as ftesë, as procesverbal, as vulë, as firmë, as edhe një procedurë statutare. Sa i takon Kongresit, atë e thërret Kryetari i partisë, ose 2/3 e kuvendarëve. Kongresin e thirrën 2/3 e kuvendarëve të pranishëm në Kuvendin e vetëm legal të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ziadin Sela”.

“Për falsifikime të nënshkrimeve dhe kuvendarëve është dëshmitarë i gjithë opinioni, përmes dëshmive të vetë kuvendarëve të cilët edhe publikisht dolën dhe treguan se nënshkrimi i tyre është keqpërdorur në Kumanovë nga njerëz të paautorizuar. E kjo, po që paraqet vepër penale. Sa për të ashtuquajturin Kongres të cilin e kanë thirrur, dje për sot, ka një sërë shkeljesh. Në radhë të parë nuk janë ftuar delegatët e Kongresit, as zyrtarët më të lartë, as deputetët, as shumica e delegatëve, që tregon se po përgatitet falsifikimi i radhës”.

“Përveç kësaj, në nenin 28 të Statutit thuhet se me punimet e Kongresit, deri në momentin e zgjedhjes së kryesisë së punës, udhëheq Sekretari i përgjithshëm. Kush do ta hapë dhe udhëheq të ashtuquajturin Kongres që do të mbahet sot? Duam të njoftojmë mbarë opinionin, anëtarët e Aleancës për Shqiptarët dhe delegatët e Kongresit, se mbledhja e sotme është jolegjitime dhe jolegale. Kongresi i vetëm legal mbahet të dielën, më 18 shkurt, me fillim në ora 13:00 në sallën e Operas dhe Baletit në Shkup. Çdo thirrje tjetër është shkelje statutare dhe mbledhje joligjore”, thuhet në reagimin e zyrës së ASH-së që mbështet Ziadin Selës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat