Vazhdon gjykimi për lehonën nga Dibra, Veaposka: Mi hoqën gjysmën e organeve, ndërsa eksperti thotë se më kanë shpëtuar jetën

Maqedonia

Vazhdon gjykimi për lehonën nga Dibra, Veaposka: Mi hoqën gjysmën e organeve, ndërsa eksperti thotë se më kanë shpëtuar jetën

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 16:05
Jëlldëz Veaposka

Në atmosferë të tensionuar vazhdoi gjykimi për lehonën nga Dibra, Jëlldëz Veaposka, së cilës në vitin 2020, pas lindjes me prerje cezariane në spitalin e Strugës, iu hoqën tre organe, vezorja, mitra dhe veshka.

Ekspertiza e mbrojtjes bie ndesh me atë të mjekësisë ligjore dhe në të thuhet se Veaposkës ia kanë shpëtuar jetën dy mjekët pasi ajo ishte në rrezik për jetën.

I akuzuari i parë është gjinekologu Muhamed Asani i dyti i akuzuar është djali i tij Blerton Asani ndërsa e akuzuara e tretë është mjekja Liljana Jovanoska.

Ata akuzohen për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve.

“Jam mirënjohëse për jetën time, të cilën e shpëtuan mjekët e klinikës në Shkup dhe doktori Skender Saidi, i cili ishte operatori i operacionit tim. Por këta mjekë nuk më shpëtuan jetën. Këta mjekë më shkatërruan jetën, më bënë invalid dhe më bënë grua që nuk mund të lindë më dhe të kem më shumë fëmijë”, tha Jëlldëz Veaposka- e dëmtuar.

“Vetë eksperti nuk ka dhënë përgjigje konkrete për pyetjet e mia të kryqëzuara, prandaj jam i bindur se ekziston vetëm një ekspertizë, ajo është mjekësia ligjore, e cila tregon se gjatë operacionit janë bërë lëshime”, u shpreh Sasho Janev- avokat i Jëlldëzit.

Mjeku Asani as sot nuk deshi të ndalet të flasë para kamerës.

“Doktor, a do të mund të dëgjojmë edhe qëndrimin tuaj? Do ta dëgjoni në fund”, i tha ai shkurt Alsatit.

Avokati i të akuzuarës së tretë, Jovanovska, konsideron se nuk ka dëshmi për fajësinë e saj.

“Mendoj se ata si ekspertë do të pajtohen më së miri dhe pastaj është opsioni për super-ekspertizë, por për momentin nuk po mendoj për këtë sepse mendoj se nuk shoh asnjë provë për fajin e të akuzuarës së tretë”, tha Aleksandar Novakovski – avokat i Liliana Jovanoskës.

Për shkak të mungesës së gjykatësve në Strugë, gjykimin tash e udhëheq gjykatës nga Shkupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat